Një delegacion i përfaqësuesve politik shqiptarë nga Lugina e Preshevës do të qëndrojnë prej nesër për vizitë zyrtare në Uashington.
Lajmin e ka bërë të ditur deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi duke treguar edhe përbërjen e delegacionit.
“Delegacioni, pjesë e të cilit do të jem bashkë me Ardita Sinanin e Ragmi Mustafin, Flora Feratin, Nagip Arifin e Ragmi Mustafën, për herë të parë do të ketë mundësinë që t’i drejtohet Senatit Amerikan dhe të raportojë për situatën në Luginë të Preshevës e për shqiptarët dhe pozitën e tyre”.
“Përpjekjet tona për realizimin e të drejtave të plota dhe krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë, përveç që janë beteja politike të përbashkëta, janë edhe kërkesë e nevojë e përditshme e çdo qytetari shqiptar në Luginë të Preshevës”, ka shkruar Kamberi.
Ai thotë se qeveritë e Beogradit nuk i kanë realizuar obligimet e marra nga ndërkombëtarët për trajtimin e pakicave, veqanarisht shqiptarëve.
Kamberi ka kërkuar edhe unitet branda subjekteve politike shqiptare në Luginë, derisa ka kërkuar edhe ndihmën e Shqipërisë dhe Kosovës.
“Në vend të zgjidhjes së problemeve e realizimit të kërkesave tona legjitime, faktorë të ndryshëm vendorë, me vite me radhë, mundohen të bllokojnë çdo koordinim tonin të përbashkët, çdo inicitiavë të shndoshë e çdo tentativë për t’i siguruar jetë më të mirë të qytetarëve tonë”.
Kamberi thotë se në BE, nuk do mund të shkojë as edhe një shtet, e as Serbia, pa filluar të mirret seriozisht me avancimin e pozitës së pakicave dhe sigurimin e të drejtave të barabarta.
“Barazia dhe të drejtat tona kolektive do të jenë temë e jona edhe në Ëashington e kërkesë e jona edhe ndaj Brukselit e kryeqendrave tjera evropiane”.
Ai ka falenderuar Kosovën për financimin e kësaj vizite.
“Në fund, falënderoj Qeverinë e Republikës së Kosovës, e cila po mundëson vizitën tonë, të tretën me radhë, brenda një viti në SHBA-a dhe Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane për përkushtimin e parezervë për kauzën tonë të drejtë tash e dy dekada”, ka shkruar tutje Kamberi.