Merkel dhe Macron deklaruan se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë këtë dialog, me qëllim “normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht detyruese”
Krerët e Gjermanisë dhe Francës kanë deklaruar se Serbia dhe Kosova janë pajtuar të rinisin bisedimet për normalizimin, bisedime të nxitura nga Bashkimi Evropian (BE), transmeton Anadolu Agency (AA).
Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, bashkë-kryesuan një takim virtual me pjesëmarrjen e kryeministrit kosovar, Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
“Presidenti Vuçiç dhe kryeministri Hoti janë pajtuar të rinisin dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, i cili është pezulluar që nga nëntori i vitit 2018”, theksuan Merkel dhe Macron në deklaratën e tyrë të përbashkët pas video-konferencës.
Merkel dhe Macron deklaruan se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë këtë dialog, me qëllim “normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht detyruese”.
Sipas deklaratës së përbashkët, delegacionet serbe dhe kosovare do të rinisin negociatat të dielën përmes një video-konference dhe pastaj të enjten të dy delegacionet do të takohen në Bruksel.
Takimi do të pritet nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, me praninë e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Mirosllac Lajçak.
BE-ja që nga viti 2008 ka bërë përpjekje që palët të arrijnë një marrëveshje, me qëllim të ofrimit të një perspektive të anëtarësimit në BE për të dyja vendet.