Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka kthyer në Kuvend ligjin që zgjat në 13 vjet afatin e koncesionit të aeroportit “Nënë Tereza”, tashmë pronë e “Kastratit Group”. Në një dalje për mediat të mërkurën , kreu i shtetit tha se marrëveshja është antikushtetuese dhe ka nivelin më të lartë të korrupsionit legjislativ.
“Ky ligj dhe marrëveshja shtesë koncesionare ka nivelin më të lartë të antikushtetueshmërisë, por edhe të korrupsionit legjislativ në Qeverinë dhe në Kuvendin tonë njëpartiak. Shtesa arbitrare është kryer në kundërshtim me rregullat. Kjo kontratë shtesë koncesionare është mbajtur larg syrit të publikut. Në faqen zyrtare të Kuvendit nuk është bërë ende publike. Arsyeja është e thjeshtë, fshehja nga sytë e publikut të kësaj procedure krejtësisht antikushtetuese, skandaloze dhe ligjore”, tha ndër të tjerash Meta.
Ai bëri publike edhe shkeljet që, sipas tij, janë bërë nga Qeveria dhe Kuvendi.
“Kësaj qeverie i është dashur vetëm një ditë që ta firmosë, ta shqyrtojë dhe t’ia propozojë Kuvendit për miratim këtë ligj në kundërshtim me çdo procedurë. Kuvendi e ka shqyrtuar më 4 shkurt dhe e ka miratuar në seancën plenare më 8 shkurt. Është e qartë se me çfarë urgjence e ka miratuar Kuvendi. Ndërkohë që Kuvendi ka në sirtarë ligje me shumë rëndësi, që presin prej vitesh. Procedura e ndjekur dhe zgjatja e afatit të kontratës koncesionare është bërë pa garë”, u shpreh presidenti Ilir Meta.
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar më 8 shkurt zgjatjen e kontratës koncesionare të Aeroportit të Rinasit nga 22 në 35 vjet, edhe pse kompania koncesionare nuk realizoi investimet e premtuara dhe përfitoi të ardhura shtesë në shkelje të marrëveshjes. Kontrata e koncesionit të Aeroportit të Rinasit përfundonte në vitin 2022, por Qeveria parashikoi një zgjatje 13-vjeçare, duke e lidhur me situatën e krijuar nga COVID-19 në industrinë e aviacionit, e që sipas “Eurocontrol” do të duhen 5-10 vjet për të rikthyer situatën normale.
Koncesioni i Aeroportit të Rinasit u dha nga Qeveria e kryeministrit Fatos Nano në vitin 2004 me një afat 20-vjeçar. Kohëzgjatjes së kontratës iu shtuan dy vjet në vitin 2016, në shkëmbin të heqjes dorë nga koncesionari nga klauzola e ekskluzivitetit për fluturimet ndërkombëtare. Kompania e koncesionit u shit disa herë, pasi realizoi fitime të mëdha gjatë dekadës së fundit duke mbajtur tarifa të larta dhe duke mos i realizuar të gjithë investimet e dakordësuara.
Në dhjetor të vitit që sapo lamë pas, Aeroporti i Rinasit ka kaluar 100 për qind në pronësi të “Kastrati Group”, pasi kjo kompani bleu aksionet me 71 milionë euro, duke shënuar largimin e grupit kinez. Shitja është bërë nga “Real Fortress Private Limited”, në pronësi të grupit kinez të shërbimeve financiare “China Everbright”.
Koncesioni i aeroportit është një ndër fitimprurësit më të mëdhenj në Shqipëri. Sipas të dhënave financiare të publikuara, nga viti 2009 deri në vitin 2019, kompania koncesionare “Tirana International Airport sh.p.k” realizoi 55.6 miliardë lekë (400 milionë euro) të ardhura dhe 17 miliardë lekë fitime (131 milionë euro), për një normë fitimi mbi të ardhurat mbi 33 %, ndërkohë që kapitali i nënshkruar i kompanisë është 1.2 miliardë lekë (9 milionë euro).