Presidenti i Republikes Ilir Meta ka pritur sot në takim delegacionin e Komisionit të Venecias, i cili ndodhet në Tiranë pas konfliktit për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Gazetari Ergys Gjençaj raportoi për “BalkanWeb” se gjatë takimit Presidenti Meta është shprehur se me Komisionin e Venecias është bërë një Kushtetutë e mrekullueshme por që herë pas here çmontohet dhe prishet balanca.
“Bëmë një kushtetutë të mrekullueshme me Komisionin e Venecias dhe që u votua referendum nga populli shqiptar në ‘98. Profesor Caco në atë kohë, Buchichio kanë bërë një punë të mrekullueshme. Por që atëherë ne harruam çfarë ndodhi dhe herë pas here i kemi çmontuar mekanizmat ‘check&balance’ të Kushtetutës sonë. Komisioni i Venecias ka bërë më të mirën e tij. Ashtu siç e bëri edhe për reformën që ne miratuam në kushtetutë për drejtësinë, e cila u votua me 140 vota nga 140 deputetë siç nuk ka ndodhur ndonjëherë. Dhe unë isha kryetar i parlamentit në atë kohë dhe jam krenar për atë arritje se pata mundësi për ta imponuar atë konseneus vetëm duke përdorur rekomandimet e komisionit të Venecias”, deklaroi Meta.
Meta ndërkohë ka folur me delegacionin edhe për ndryshimet e ligjit për Gjykatën Kushtetuese për ceremoninë e betimit të miratuara dje nga Kuvendi.
“Për çështjen e ligjit e pagëzuar si ‘kryekçk’ do te flas pasdite. U miratua çuditërisht para se Venecia të vinte! Unë e dua shumë komisionin e Venecias dhe Venecian! Vjet mora edhe ‘Luanin e Venecias’! Unë kurrë nuk do të thirrja Venecian për një çështje kaq të thjeshtë! Për te lexuar thelbin e kësaj çështje, anëtari i parë emërohet nga Presidenti, i dyti nga Kuvendi, i treti nga Gjykata e Lartë! Edhe dy fëmijë të klasës së parë e lexojnë qartë”, është shprehur Presidenti Meta gjatë takimit.
Kreu i Shtetit ka folur edhe për probleme të tjera në vend. “Vendi ka disa probleme shqetësuese me korrupsionin dhe krimin e organizuar! Meqë parlamenti ju bëri pyetjet, isha i detyruar t’ju pyesja edhe unë që ta merrnit të plotë informacionin. E kisha të domosdoshme këtë hyrje pasi më kanë çmendur gazetarët duke më pyetur!”, është shprehur Presidenti.