Presidenti Ilir Meta reagoi sot pas një lajmi të publikuar në medie, ku pretendohet dalja e një liste me të dhënat sensitive personale të 637,138 qytetarëve të punësuar.
Meta tha se “kjo është në shkelje flagrante të lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor, të ligjeve dhe të Kushtetutës, një rast paligjshmërie i përsëritur, pas skandalit të patronazhistëve”.
Sipas tij, “të dhënat personale të çdo shtetasi, që depozitohen në institucionet publike dhe që administrohen në bazat e të dhënave shtetërore, janë personale, mbrohen me ligj dhe kanë për qëllim përdorimin e tyre vetëm për interesin e shtetasve dhe të shtetit”.
Meta theksoi se “çdo lloj përdorimi i ndryshëm i tyre është akt kriminal, që rrezikon paqen sociale duke cënuar sigurinë private të çdo qytetari”.
“I bëj thirrje agjencive ligjzbatuese dhe të ndjekjes penale, të vihen menjëherë në lëvizje, të nisin verifikimet dhe hetimet, të faktojnë këtë veprimtari të përsëritur të paligjshmërisë, duke marrë pa vonesë masat e nevojshme për të garantuar mbrojtjen e të dhënave personale dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve”, tha Presidenti.