Gjuha e përdorur nga Sekretarja e Brendshme britanike Suella Braverman për azilkërkuesit shqiptarë vetëm sa e ka përkeqësuar një situatë të rrezikshme, paralajmëroi sot një deputet veteran i Partisë Konservatore.
Sir Roger Gale dënoi retorikën e përdorur nga Sekretarja e Brendshme, e cila shpesh ka veçuar shqiptarët në komentet e saj, pasi rritjes së numrit të atyre që kalojnë ngushticën e La Manshit me varka.
Gale e bëri komentin e tij pasi ambasadori shqiptar në Britaninë e Madhe, Qirjako Qirko, iu tha deputetëve se fëmijët shqiptarë në shkollat britanike po bullizoheshin si pasojë e një “fushate diskriminimi”.
Braverman u kritikua muajin e kaluar për shkak të deklaratës për “invazion” migrantësh përmes La Manshit. Ajo tha se Britania po shihte “një valë në rritje të numrit të shqiptarëve” dhe ishte dakord me një deputet konservator që përmendi “kriminelët shqiptarë”, në komente që tërhoqën kritika nga kryeministri shqiptar Edi Rama.
Sir Roger, zona elektorale e të cilit, North Thanet, përfshin edhe qendrën e pritjes së imigrantëve Manston, u pyet nëse Sekretarja e Brendshme duhet ta kontrollojë fjalorin.
“Nuk mendoj se bullizimi është i pranueshëm nga ndokush, në asnjë vend apo kohë”, tha ai për SkyNews. “E nëse fëmijët shqiptarë bullizohen në shkolla, atëherë është shumë e padëshirueshme dhe e papranueshme. Kam frikë se gjuha e përdorur nga Sekretarja e Brendshme e të tjerë po e përkeqëson një situatë që ndërkohë ishte tepër e brishtë dhe e rrezikshme. Ndaj sigurisht që e dënoj”.
Ministrja e kabinetit Gillian Keegan tha se nuk ishte në dijeni të raporteve për bullizim të fëmijëve shqiptarë në shkolla. E pyetur për vërejtjet e ambasadorit shqiptar, Sekretarja e Arsimit tha: “Nuk e kisha dëgjuar lajmin, por do të shoh në departament për të parë nëse kemi raporte të tilla. Por sidoqoftë, bullizimi është i gabuar për këdo”.
Qirko iu tha deputetëve të mërkurën se qeveria e tij “nuk kishte informacion” për rritje të numrit të njerëzve nga vendi i tij që hynin në Britani dhe këmbënguli se Shqipëria është “vend i sigurt”.