Presidenti Ilir Meta është paraqitur sot në Gjendjen Civile në në Njësinë Administrative nr. 13 në Tiranë për t’u pajisur me kartë identitet, ku dhe u bëri thirrje qytetarëve të verifikojnë afatin e vlefshmërisë së kartës.
“Kur na ndajnë edhe 86 ditë nga zgjedhjet e shumëpritura të 25 prillit 2021, ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, të verifikojnë afatin e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit. Rinovimi i tyre është i domosdoshëm. Mospasja e një karte të vlefshme ID është pengesë serioze për të ushtruar të drejtën kushtetuese të votës. Mos neglizhoni dhe mos e leni aplikimin për në çastin e fundit. Gjithashtu, ju ftoj të verifikoni sa më parë emrin në listën e zgjedhësve, si dhe vendndodhjen e qendrës tuaj të votimit dhe në rast se vini re parregullsi tek të dhënat, paraqituni menjëherë pranë zyrës së Gjendjes Civile në Njësinë tuaj Administrative”, tha ai.
Meta shtoi se “është thelbësore, që të gjithë qytetarët me të drejtë vote, të kenë mundësi të marrin pjesë në referendumin historik të 25 prillit. Të votosh është e drejtë, por edhe një përgjegjësi e lartë qytetare. Çdo neglizhencë në këtë drejtim penalizon të ardhmen europiane të vendit”.