Ukraina nuk do të lejojë askënd t’i imponojë asnjë lëshim si pjesë e përpjekjeve për të depërshkallëzuar kërcënimin e konfliktit me Rusinë, ka thënë ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba për CNN.
Kuleba ka theksuar se vendi nuk do të pranojë asnjë kompromis që synon të qetësojë presidentin rus, Vladimir Putin, mes frikës se Rusia mund të planifikojë të pushtojë Ukrainën, gjë të cilën Moska zyrtare është duke e mohuar.
“Nëse dikush bën një lëshim për Ukrainën, pas shpinës së Ukrainës, së pari, ne nuk do ta pranojmë këtë. Ne nuk do të jemi në pozicionin e atij vendi që merr telefonin, dëgjon udhëzimet e fuqisë së madhe dhe i ndjek atë”, ka thënë Kuleba. “Ne paguam shumë, duke përfshirë 15 mijë jetë të qytetarëve tanë, për të siguruar të drejtën për të vendosur vetë të ardhmen tonë, fatin tone”, shtoi ai.
Ukraina ka paralajmëruar se Rusia po përpiqet të destabilizojë vendin përpara çdo pushtimi të planifikuar ushtarak. Nga ana tjetër, fuqitë perëndimore e kanë paralajmëruar vazhdimisht Rusinë kundër lëvizjeve të mëtejshme agresive kundër Ukrainës.
Kremlini mohon se po planifikon të sulmojë dhe argumenton se mbështetja e NATO-s për Ukrainën, duke përfshirë rritjen e furnizimeve me armë dhe trajnimin ushtarak, përbën një kërcënim në rritje në krahun perëndimor të Rusisë.
Kuleba tha se nuk ka dyshime për angazhimin e SHBA-së për të mbrojtur Ukrainën, pavarësisht komenteve nga presidenti Joe Biden që sugjeronte se një “inkursion i vogël” nga trupat ruse mund të mos çojë në një përgjigje të ashpër nga aleanca ushtarake e NATO-s .
“Së pari, Presidenti Biden është personalisht i përkushtuar ndaj Ukrainës. Ai e njeh këtë vend dhe nuk dëshiron që Rusia ta shkatërrojë atë. Së dyti, ne dëgjuam nga zyrtarët amerikanë, duke folur hapur për mediat, por gjithashtu duke folur me mua dhe me zyrtarë të tjerë ukrainas drejtpërdrejt në telefon, se Shtetet e Bashkuara do të mbeten absolutisht të përkushtuara për të goditur Rusinë nëse ndonjë lloj inkursioni, pushtimi, ndodh ndërhyrje”, përfundoi ai.




