Ambasadori Qemal Minxhozi, ka thënë se reagimi që ka ardhur nga Kosova pas tërmeteve në Shqipëri, ka bërë që kombi të jetë i bashkuar.
“Kjo çka po bëni ju e ka bashkuar shumë kombin. Kjo fatkeqësi e ka bashkuar shumë kombin, shumë më tepër se në gëzim do të thosha”, ka thënë Minxhozi, në Rubikon të KTV-së.
Ai ka thënë se shqiptarët andej kufirit nuk e kanë ndjerë vetën në rolin e kërkuesit.
“Ka qenë i menjëhershëm reagimi. Na ka lënë pa mend edhe profesionalizmi i tyre”, ka thënë më tej ai.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, ka thënë se çdo moment qytetarët e Kosovës nuk ia kanë ndarë telefonatave për të ofruar ndihmë.
“Veç në ditën e parë kanë qenë 2500 telefonata. Janë njerëz që thonë se e kanë banesën, i japin çelësat e banesës. Unë dje isha në shesh, kishte pleq, organizimi ishte i jashtëzakonshëm”, ka thënë Mixhozi.
“Nuk ka nevojë të koordinohemi. Vetë i kontaktojnë familjet në Durrës, i marrin vetë”, ka shtuar më tej ai.
Sipas ambasadorit, deri mbrëmë, nga ajo që dihet zyrtarisht, nga Shqipëria në Kosovë kanë ardhur 650 vetë.
“Më bënë përshtypje edhe hotelet këtu, thonë pa para, rrini këtu deri sa të rregullohet. Njerëz që kanë shtëpia pushimi, thonë ja ku i keni çelësat. Ka të tjerë që i thërrasin e i mbajnë edhe me ushqim”, ka thënë ai.