Një grua e cila mori leje në punë duke i thënë shefes se ishte sëmurë, por në fakt mikja e saj i kishte siguruar një biletë në Wembley për të parë ndeshjen e madhe që i siguroi Anglisë kualifikimin në finalen e Euro2020, u pushua nga puna pasi shefja e saj e pa atë në TV.
Nina Farooqi, 37 vjeç, mendonte se nuk kishte gjasa të merrte një ditë pushimi për të shkuar në stadium, për shkak të punës me staf të shkurtër, dhe kështu vendosi të thoshte se ishte e sëmurë.
Dhe kur të gjithë britanikët po shihnin ndeshjen, fytyra e saj e pikturuar me ngjyrat e kombëtares u shfaq në ekranin e madh duke festuar golin e barazimit të Anglisë.
Shefja e saj gjithashtu e pa fotografinë të shfaqur në ekran. Farooqi ishte ulur pas portës.
Nuk e kishte idenë që ishte shfaqur kudo, edhe në Instagramin e prezantuesit Stacey Dooley. Të nesërmen teksa hipi në trenin e orës 6 të mëngjesit për të shkuar në punë në kompaninë Leeds Composite Prime, shefja e telefonoi duke i thënë që mos shqetësohej për të shkuar se ishte e pushuar.
“Kjo është pasoja e asaj që unë bëra. Më erdhi keq se askush nuk dëshiron që të pushohet nga puna, por do më vinte keq gjithashtu nëse Anglia do humbte, pale të fitonte dhe unë të mos isha në stadiumin e Wembley. Të jem e sinqertë: Do e bëja prapë gjithçka që bëra”, tha ajo për Telegraph.
Farooqi kishte menduar se nuk do të kishte gjasa që ajo të dallohej në një turmë prej 60,000 tifozësh.
Fitorja e së mërkurës ishte një arritje historike për Anglinë dhe i dha fund pritjes së tyre 55-vjeçare për t’u kualifikuar në një finale të madhe – duke vulosur vendin e tyre në finalen e së dielës, 11 korrik kundër Italisë, shkruan Daily Mail.