MPJ nuk e lejon Gjuriqin të hyjë nesër në Kosovë

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Ndonëse paralajmëroi se nesër do ta vizitojë veriun, në ditën kur qytetarët atje do të votojnë për të zgjedhur kryetarët e katër komunave, Marko Gjuriqi, nuk do lejohet të hyjë në Kosovë. Këtë informacion e kanë konfirmuar nga Ministria e Punëve të Jashtme për Gazetën Express.

Në një intervistë për televizionin shtetëror serb, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, tha se nesër ( e dielë), do ta vizitojë Veriun e Kosovës. Ai planifikoi vizitë sepse siç u shpreh këto zgjedhje janë të rëndësishme për t’i mbrojtur interesat e Serbisë. Por, një vizitë e tillë nuk do të jetë e mundur sepse MPJ nuk ia ka aprovuar kërkesën atij.

Këshilltari politik i ministrit të Jashtëm, Jetlir Zyberaj, tha se kërkesa për vizitë nuk i është aprovuar Gjuriqit sepse nuk është në përputhje me kriteret e marrëveshjes së Brukselit.

“Ka kërku sot leje, po ja kemi refuzu, sepse nuk është në përputhje me kriteret e marrëveshjes së Brukselit”, tha Jetlir Zyberaj për Gazetën Express.

Gjuriq ka bërë kërkesën sot, ndërsa marrëveshja thotë se kërkesa për vizita zyrtare duhet të bëhet gjatë ditëve të punës (nga e hëna deri të premtën), jo gjatë fundajvës, raporton Gazeta Express.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen nesër  në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore pas dorëheqjes së kryetarëve.

Dorëheqja e tyre ka ardhur për shkak të taksës 100% të vendosur nga Qeveria Haradinaj. Për disa muaj rresht, këto komuna mbetën pa kryetar, më pas presidenti Thaçi, mori vendim për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Vitin e kaluar, Policia e Kosovës ka arrestuar në Mitrovicë shefin e të ashtuquajturës zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq. Arrestimi ka ndodhur në tubimin serb në Kosovë, ku Gjuriq ka shkuar përkundër se autoritetet kosovare ia kanë ndaluar hyrjen.

Share This Article