Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i është kundërpërgjigjur atyre që po kritikojnë mundësinë e shkuarjes në zgjedhje me Lëvizjen Vetëvendosje. Dje pas takimit të Mustafës me kryetarin e VV-së Albin Kurti, pati reagime të shumta se deri vonë, Kurti e kishte akuzuar në forma të ndryshme Mustafën, e ndërkaq tash, po e quan “profesor”.
Mustafa përmes një sqarimi të gjatë në Facebook, ka thënë se s’ka parti që s’e ka sulmuar atë dhe që s’e ka etiketuar, por, përfshirë të gjitha këto parti, vetëm Vetëvendosja nuk ishte pjesë e keqqeverisjes së vendit.
Lexoni të plotë reagimin e Mustafës:
Nuk ka parti që nuk më ka sulmuar dhe nuk më ka etiketuar. Sidomos në kohën sa isha Kryeministër i Kosovës.
Përfaqësues të subjekteve opozitare dhe të ashtuquajtur opinionist të pavarur sot po brengosen pse ata që më akuzonin dhe etiketonin nuk po vazhdojnë edhe më tutje, të më ulmojnë por po kërkojnë bashkëpunim.
Dikush më quajti tradhtar, se kinse e shita një pjesë të territorit me Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e ZI. Të tjerët brohoritën në protesta të dhunshme :”Isë, Isë argat i Serbisë”. I treti thoshte se i ka dorëzuar në Prokurori mbi 70 dosje për punën time sa isha Kryetar i Prishtinës. I katërti krekosej se isha frikacak dhe nuk kisha guxim të marr vendime të mëdha. Më emruan për ministër të Rrahman Morinës e më quajtën Putin. Ishin akuza trishtuese, por unë s’ua vura veshin, e lash të trishtohen trumbetuesit.
Si rrjedhojë e kësaj, eskortën time e gjuajtën me gurë, me sfera metalike e me iriqë qeliku, një grup huliganësh ma sulmuan shtëpinë me shishe molotovi. Flitej se kishin planifikuar të më sulmojnë dhe likuidojnë duke përdorur edhe dronët. Poashtu flitej se partneri i koalicionit kishte lejuar dhe mundësuar hyrjen e papenguar të gazit lotësjellës në Kuvend. Të gjitha këto ishin pak si shumë! Krejtësisht jodemokratike. Por nuk i bëri një subjekt. I organizuan dhe i bënë së bashku, VV, AAK, Nisma dhe këta që u konvertuan në socialdemokratë. Deputetët e tyre, pa dallim, gjuajtën me vezë në sallën e Kuvendit. Njerëzit e tyre, pa dallim, gjuajtën gurë e shishe molotovi mbi policinë dhe objektet qeveritare. Kur më gjuajtën me vezë, për herë të parë në sallën e Kuvendit, Kryetari i Kuvendit urdhëroi mbrojtjen time të afër ta lëshojnë sallën, e të më gjuajnë pa u penguar, por ata nuk e dëgjuan.
Të gjithë këta bashkë, edhe me Listën Serbe, organizuan mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së LDK-së. Të gjithë bashkë, por pa Vetëvendosjen, në PAN e keq-qeverisën në mënyrë të tmerrshme vendin për këto dy vitet e fundit. Posa e morën pushtetin, veprimin e parë e bënë për të zhbërë Gjykatën Speciale.
Dështuan.
Veprimin tjetër e bënë që të pasurohen pa asnjë kufi me tenderë e vendime katastrofale të qeverisë.
Këtu nuk dështuan. Mbetet të shohim se për çfarë do ti shpenzojnë këto para!?
Akuza dhe veprimet e tyre nuk më luhatën e as nuk më frikësuan. Prandaj edhe nuk kisha arsye të korrigjohem dhe të reflektoj. Ishin krejtësisht të pabaza dhe me prapavi politike. Ata që e kallën Kosovën për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, e miratuan këtë marrëveshje kur erdhën në pushtet. Nga atëherë kaluan dy vite e nuk ndërmorën asnjë veprim ta kthejnë kufirin në Qakor dhe në Zhleb. Qeveria e instaloi taksën, si mjet për tu mbrojtur nga dështimet, si masë populliste. Si rrjedhojë edhe si instrument të evazionit fiskal dhe të kontrabandës së mallrave. Taksën e meritoi Serbia. Por vlen të thuhet se dikush u pasurua edhe me taksën.
Nuk ua kam shtruar asnjëherë pyetjen, as VV as AAK-së, as Nismës, as PSD-së, as PDK-së, e as disa mediumeve pse më akuzonin aq rëndë. Sepse vet fakti se ata pranojnë të bashkëpunojnë me mua dhe me LDK-në, flet se nuk kanë pasur dhe nuk kanë asnjë argument. Por nëse dikush ka, le të urdhëroj!
Prandaj nuk kam komplekse që të bashkëpunoj, të bisedoj me kundërshtarët e djeshëm politik. Por, po vërej se po i pengon shumë ata që e kanë zhvatur Kosovën dhe ata që anash kanë duartrokitur këtë zhvatje. Ne bashkëpunojmë me subjektet tjera për Kosovën, në çështjet në të cilat nuk kemi dallime ose në ato që mund t’i kapërcejmë dallimet. Ata që ia duan të mirën Kosovës nuk kanë pse shqetësohen.
Politika nuk zhvillohet me hatërmbetje dhe inate. Në jetën politike lëvizen gurët për të ndëruar rrugë bashkëpunimi me ata që beson. Më mjafton që Qeveria e LDK-së, të cilën e drejtova gati tre vjet po cilësohet si qeveria më e mirë që ka pasur Kosova pas luftës. Pa njerëz të korruptuar dhe pa afera korruptive, me kompetencë të plotë në ekonomi, me marrëdhënie të shkëlqyeshme me BE-në. Këso qeverisje i nevojitet vendit. Atë nuk e bëjmë me njerëz të importuar por me njerëz të Kosovës.
Jemi këta dhe këtu ku jemi. Ata që kanë shkelur partneritetin e dijnë përgjigjen. Me të tjerët ka hapësirë të ndërtojmë ura bashkëpunimi, të gjejmë pikat që na bëjnë bashk, jo ato që na ndajnë.