Këtë të shtunë, në pikat e shitjes me pakicë, çmimi i naftës dhe benzinës ka arritur nga 230 deri në 234 lekë për litër. Kjo është rritja e tretë brenda pak ditëve.
Për rritjen e çmimit të naftës ka reaguar kryeministri Rama në Facebook. Ai shkruan se po bëhet luftë dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe kur Rusia është eksportuesi më i madh i naftës e gazit në Europë.
“Po bëhet luftë, luftë prej vërteti, luftë me bomba e me viktima e me plagë të jashtëzakonshme, kjo po ndodh dhe po të ishte i mundur kontrolli i çmimeve nga qeveria, do e kishte ndonjë qeveri në Europë, ku çmimet po rriten edhe më frikshëm se këtu, ndërkohë që këtu nuk po rritet ende energjia elektrike, pikërisht sepse shteti që e shet dhe e blen energjinë, ndryshe nga nafta e mielli e tërë të tjerat që shiten e blihen nga privatet, po e mban me dhëmbë kur i thonë llafit, pikërisht që të lehtësojë sadopak familjarët!
Që s’është e drejtë kjo nuk diskutohet, por s’ka si të mos ndodhë në këto kushte alarmi në të gjitha tregjet dhe me sanksionet ndaj Rusisë që është eksportuesi më i madh në Europë i gazit, naftës dhe grurit, por ama nga ana tjetër s’ka se si të mos e marrim edhe ne bashkë me tërë të tjerët, një pjesë të barrës së luftës së ukrainasve kundër një agresioni ushtarak mbi shtetin e tyre sovran e demokratik, sepse historia na ka mësuar më shumë se një herë që kush mbyll sytë kur i vjen tjetrit lufta në shtëpinë e vet, shumë shpejt e ka luftën në shtëpinë e tij”, shkruan Rama.
Vetëm një javë më parë, nafta shitej nga 192 në 194 lekë, çka do të thotë se çmimet janë rritur në nivele alarmante nga 38 deri në 42 lekë për litër.