Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun, Peter Sorensen, zhvilloi një vizitë të rëndësishme në Kosovë. Fillimisht u takua me presidenten, Vjosa Osmani, me të cilën diskutoi për një sërë temash. Fokusi ishte natyrisht dialogu Prishtinë-Beograd.
Presidenca njofton se zonja Osmani paraqiti vërejtjes e saj për draft-statutin e asociacionit të propozuar nga BE-ja, duke kërkuar që të trajtohen me seriozitet në mënyrë që të parandalohet një rrezik i madh për funksionimin normal të shtetit të Kosovës. Më pas Sorensen u takua dhe me kryeministrin, Albin Kurti.
Shefi i qeverisë prezantoi disa kërkesa si heqja e masave ndaj Kosovë, dorëzimi i kryeterroristit Milan Radoiçiç dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes së normalizimit.
Ndërkohë, vetë ndërmjetësuesi Sorensen e konsideroi një “fillim të mirë” vizitën e tij në Prishtinë. Por nënvizoi gjithashtu se hapat e radhës në kuadër të dialogut do të mësohen vetëm pas vizitës së tij edhe në Serbi.