Defekte të papritura në termocentrale goditën sistemin energjetik të Britanisë disa orë përpara se Spanja dhe Portugalia të zhyteshin në errësirë nga ndërprerje të gjera të energjisë elektrike, zbuloi sot Mail Online.
Stafi i sallës së kontrollit të Operatorit Kombëtar të Sistemit Energjetik (Neso) vërejti aktivitet të pazakontë në dy raste të dielën – herët në mëngjes dhe në mbrëmje.
Incidenti i parë lidhet me devijimin e papritur të frekuencës së energjisë në orën 2 të mëngjesit, për shkak të një ndalese në termocentralin me gaz natyror Keadby 2, në Lincolnshire, raportoi Telegraph. Më pas ndodhi një defekt i pashpjegueshëm në lidhjen Viking Link, një kabllo furnizimi që shtrihet për gati 800 kilometra mes Britanisë dhe Danimarkës.
Frekuenca e energjisë u devijua sërish në orën 18:00, por shkaku mbetet i panjohur – dhe zyrtarët e Neso, të cilët menaxhojnë rrjetin energjetik britanik, po e hetojnë çështjen.
Megjithatë, Neso deklaroi se nuk ka asnjë provë deri në këtë fazë që këto ndërprerje të jenë të lidhura mes tyre apo me kolapsin e sistemit që ndodhi të hënën në Spanjë, Portugali dhe jug të Francës.
Një zëdhënës i Neso tha për MailOnline:
“Ne vazhdojmë të shqyrtojmë ngjarjet e fundjavës. Megjithatë, është jashtëzakonisht e pamundur që këto ngjarje të jenë të ndërlidhura mes tyre ose me ngjarjet në rrjetin evropian të energjisë elektrike të hënën. Rrjeti i energjisë elektrike në Britaninë e Madhe nuk u ndikua nga incidenti në rrjetin evropian të energjisë elektrike të hënën.”