Philippe Pozzo di Borgo, biznesmeni i cili frymëzoi filmin e famshëm “Intouchables”, ka ndërruar jetë në moshën 72-vjeçare, në Marrakesh.
Filmi me protagonist François Cluzet, i cili interpretonte sipërmarrësin e paralizuar dhe Omar Sy, kujdestarin e tij, është një nga më të suksesshmit në historinë e kinematografisë franceze dhe e bëri të njohur historinë e Pozzo di Borgo në të gjithë botën.
Regjisorët e filmit, Éric Toledano dhe Olivier Nakache, shkruan në Twitter: “Sapo mësuam me trishtim të thellë lajmin e vdekjes së mikut tonë, Philippe Pozzo di Borgo. Duke pranuar që historinë e jetës së tij ta bënim film, ai ndryshoi jetët tona dhe ato të shumë njerëzve që kanë nevojë për ndihmë”.
Philippe Pozzo di Borgo mbeti i paralizuar nga qafa e poshtë pas një aksidenti me parashutë. Nga ajo kohë, ai punësoi një kujdestar algjerian, Abdel Yasmin Sellou, me të cilin krijoi një marrëdhënie të ngushtë miqësie. Kur u takuan për herë të parë, biznesmeni ishte 43 vjeç, ndërsa kujdestari vetëm 21.
“Ai është më shumë se një mik për mua, është edhe një baba, një mësues, një engjëll”, thonte Abdel përpara disa vitesh.