Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi sot se “ai që ngre dorën për të prekur 5 qershorin, ngre dorën kundër integrimit europian të Shqipërisë”.
Në konferencën për shtyp me Kryetarin e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç, Meta foli edhe për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që pritet të votohen në Kuvend.
“Unë uroj që e ashtuquajtura mazhorancë të thellohet. Po ashtu të ashtuquajturit opozitarë në Parlament, nëse duan të quhen opozitarë, nuk duhet t’iu shkojë mendja të përpiqen sot t’i mbyllin derën e integrimit Shqipërisë. Sepse sot, ai që ngre dorën për të prekur 5 qershorin, përveç listave të hapura 100%, që çdo shqiptar i duartroket po të kenë kurajo ta bëjnë, ai ngre dorën kundër integrimit europian të Shqipërisë. Ai vendos pusht-pushtetin e partisë mbi një interes kombëtar të të gjithë shqiptarëve”, tha Meta.
“Kushdo që ngre dorën, duhet ta dijë që përgjegjësinë do ta ketë edhe individuale, morale, politike edhe për çdo pasojë që do të ketë në vend kjo përmbysje e pabesë, tinëzare dhe antishqiptare e rregullave të lojës, të bashkëjetesës demokratike dhe europiane në vendin tonë”, tha Meta.
“Presidenti do t’i publikojë të gjithë emrat e atyre që do të guxojnë ta bëjnë një gjë të tillë, përpara gjithë shqiptarëve se kush janë ata që duan të kthejnë Shqipërinë aty ku ishte 30 vjet pas. Jo 30 vjet se 30 vjet Shqipëria ishte drejt hapjes, po 30 vjet pas për të mbyllur një derë, e cila nuk ka Zot në botë që ta mbyllë”, shtoi Meta.
“Presidenti do të bëjë atë gjë që ka bërë gjithmonë për të mirën e integrimit europian të Shqipërisë. Në rast se respektojnë 5 qershorin do t’i duartrokas dhe të vazhdojnë të respektojnë rregullat e lojës dhe ne do të vazhdojmë këtu aktivitetet tona të Presidentit”, u shpreh Meta.
“Në rast tjetër, absolutisht Presidenti dhe 3 milionë shqiptarë do të tregojnë që Europa është në zemrat e tyre dhe Europa nuk është vetëm euro. Në radhë të parë është liri, është dinjitet dhe është perspektivë dhe të gjithë e kanë në dorë të tregojnë sot se ku do të jenë. Do të jenë me push-pushtetin e partisë apo janë me demokracinë, janë me të ardhmen europiane dhe janë që të rinjtë të mos na ikin në këtë mënyrë siç po ikin sot nga Shqipëria në mënyrë të jashtëzakonshme, por edhe nga vende të tjera të rajonit tonë”, tha Presidenti Meta./ATSH/