Stadiumet e Serie A mund të hapen për 25 për qind të kapacitetit para fundit të edicionit 2019\2020. Planet për këtë po shqyrtohen nga Federata e Futbollit të Italisë (FIGC), ka njoftuar presidenti Gabriele Gravina.
Tifozët e futbollit në Itali e kanë të pamundur të përcjellin ndeshjet në stadiume që nga marsi, kur autoritetet së pari vendosën që ndeshjet të luhen pa shikues, para se të pezullonin ligën për shkak të përhapjes së koronavirusit.
Kampionati rifilloi muajin e kaluar, prapë pa shikues dhe nën masa të rrepta, por autoritetet janë të përkushtuara për të pasur tifozët në stadiume sa më shpejtë të jetë e mundur.
Gravina ka thënë se ka punuar së bashku me një komision shtetëror për të përgatitur planin që mund të hap rrugë për kthim të shikuesve.
“Ne po punojmë për atë që shikuesit të shijojnë futbollin nga afër sërish. Ne po punojmë për përqindjet. Sot, mendojmë se përqindja e duhur është 25”, ka thënë Gravina.