Në Maranello ka nisur epoka e Lewis Hamilton. Piloti britanik ka mbërritur në selinë e “Kavallino”-s për të filluar zyrtarisht aventurën e tij me Ferrarin. Një ardhje shumë e pritur jo vetëm nga e gjithë skuadra dhe tifozët, por edhe nga vetë Hamiltoni. “Ka ditë që e di se do t’i mbash mend përgjithmonë, dhe sot, dita ime e parë si pilot i Ferrarit, është një nga ato ditë – ka shkruar kampioni në profilin e tij në Instagram. – Kam pasur fatin të arrij suksese në karrierën time që kurrë nuk i kisha menduar të mundshme, por një pjesë e imja ka ruajtur gjithmonë ëndrrën për të drejtuar një makinë të kuqe. Nuk mund të isha më i lumtur që sot po e realizoj këtë ëndërr”.
Ai shtoi: “Sot fillojmë një epokë të re në historinë e kësaj skuadre legjendare dhe mezi pres të shoh se çfarë historie do të shkruajmë së bashku”.
I emocionuar dhe i etur për të nisur aventurën me Ferrarin, Lewis u paraqit në Maranello me një veshje elegante, siç tregohet në foton e postuar në rrjetet sociale. Me shumë stil, britaniku u fotografua para hyrjes së “Shtëpisë së të Kuqes” dhe më pas nisi ditën e tij të parë si pilot i Ferrarit.
Nga Milano në Melburn: Hamilton-Ferrari, një marrëveshje përtej sportit
Sipas programit, në Maranello Hamilton do të prezantohet me një numër të zgjeruar teknikësh, do të krijojë kontakt me ekipin që do ta ndjekë gjatë gjithë sezonit dhe më pas do të merret me rregullimet e fundit të sediljes dhe testimet në simulator. Për shkak të kushteve të motit, Lewis nuk do të hipë menjëherë në një makinë për të fituar ndjesinë me të gjitha sistemet e kontrollit të Ferrarit. Nëse nuk ka ndonjë të papritur, xhirot e para të anglezit në pistën e Fioranos me modelin “SF-23” të dy viteve më parë janë planifikuar për të mërkurën. Më pas, një test i dytë do të zhvillohet javën e ardhshme në Barcelonë.