Kosova
Nëse jo Kurti, kush duhet ta formojë Asociacionin?
Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është ndër temat e pakta, për të cilën flitet gati çdo javë dhe që secilën herë bëhet lajm.
Të gjithë kanë qëndrime për të dhe e komentojnë. Për të janë arritur marrëveshje e janë përpiluar propozime. Por, zgjidhja përfundimtare nuk është arritur kurrë.
Asociacioni u riaktualizua më 29 tetor, kur shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, tha para mediave se, si kryeministër i një republike demokratike, nuk mund të formojë asociacione të komunave.
“Komunat asociohen me njëra-tjetrën, koordinohen, bashkëpunojnë. Ju tashmë e dini që ne e kemi një Asociacion të Komunave të Kosovës. Nëse dikush e dëshiron një asociacion tjetër, atëherë kjo duhet të vijë nga komunat… nëse kryeministri do të themelonte asociacion të komunave, ky do të ishte një imponim ndaj komunave”.
Cila është rruga përpara?
Pavarësisht se Kurti i bëri këto deklarata, ai është përfshirë në të kaluarën në diskutimet për themelimin e Asociacionit.
Sipas njohësit të çështjeve politike, Agon Maliqi, Kurti, si kryeministër, nuk mund t’i ikë kësaj përgjegjësie.
“Mënyra se si do të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashihet përmes Marrëveshjes mbi Asociacionin dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese – që si rrjedhojë kanë krijuar detyrim politik, por edhe juridik për Qeverinë për ta dërguar për shqyrtim statutin [e Asociacionit]”, tha Maliqi.
Maliqi konsideron se në këtë rast nuk bëhet fjalë për një asociacion sikurse ai ekzistues i komunave, “por një trup të modelit të ri dhe me kompetenca shtesë, që duhet t’i shtohet rendit juridik, e që për rrjedhojë kërkon rregullim dhe përfshirje të të gjitha niveleve ekzistuese të pushtetit”.
Ndërkaq, Toby Vogel nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Bruksel i tha Radios Evropa e Lirë se deklarata e kryeministrit të Kosovës është e pasinqertë.
Sipas tij, “i ka takuar gjithmonë Prishtinës t’i krijojë kushtet për formimin e Asociacionit, por gjithmonë sipas një konteksti të caktuar”.
“Kosova vazhdon të jenë nën masa të Bashkimit Evropian, derisa Serbia nuk është përballur me asnjë pasojë për Banjskën, apo për refuzim të Marrëveshjes së Ohrit. Pse, atëherë, Kurti do ta ndryshonte pozitën e tij në këtë situatë? Nuk ekziston ndonjë përfitim zgjedhor apo diplomatik për të, nëse pranon ta formojë Asociacionin”.
Historiku i Asociacionit
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për formimin e Asociacionit më 2013 dhe një tjetër marrëveshje për parimet më 2015.
Por, Qeveria e Kosovës refuzon të formojë, siç thotë, asociacion një etnik, ndërsa Serbia insiston për zbatimin e marrëveshjes.
Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vlerësuar se marrëveshja për parimet nuk është në përputhje me Kushtetutën në 23 pika të saj, ndonëse ato mund të harmonizohen.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian insistojnë vazhdimisht që Kosova ta dërgojë në Gjykatën Kushtuese një draft-statut për Asociacionin, të cilin e prezantoi Perëndimi në tetor të vitit të kaluar.
E pyetur për të komentuar deklaratën e Kurtit, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Nabila Massrali, i tha Radios Evropa e Lirë se themelimi i Asociacionit është obligim ligjor për Kosovën, sipas të drejtës ndërkombëtare.
Sipas saj, fakti që marrëveshjet për Asociacionin janë arritur në kuadër të dialogut, “nënkupton që secili propozim duhet të diskutohet me Serbinë dhe ndërmjetësuesin e BE-së”.
Edhe në Raportin e Progresit të BE-së për Kosovën, mungesa e hapave drejt themelimit të Asociacionit është përmendur si pengesë në procesin e normalizimit mes vendeve fqinje.
Radio Evropa e Lirë kërkoi koment edhe nga Uashingtoni, por nuk mori përgjigje. E, përgjigje nuk ktheu as Qeveria e Kosovës, pas kërkesës për ta sqaruar më tepër qëndrimin e Kurtit.
Prioritet: Marrëveshja Bazë
Në deklarimin para gazetarëve, Kurti ka insistuar në nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë – referencë për një marrëveshje për normalizim marrëdhëniesh, të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 2023.
Në një pikë të saj, ajo parasheh që komunitetit serb në Kosovë t’i ofrohet një nivel i caktuar i vetëmenaxhimit.
Agon Maliqi beson se pa e dërguar Kosova draft-statutin për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese, “vështirë se mund t’i shohë përfitimet e parapara nga marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar garanci të sigurisë nëse ndërkombëtarët insistojnë në formim të Asociacionit, edhe pas “tërheqjes së Serbisë nga Marrëveshja Bazë”.
I dërguari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se Serbia e ka tërhequr letrën e nisur nga ish-kryeministrja Ana Brnabiq, me të cilën kishte dalë kundër Marrëveshjes Bazë. Vetë Serbia nuk është deklaruar publikisht.
Manovra për heqje të presionit para zgjedhjeve”
Kosova do t’i mbajë zgjedhjet e ardhshme parlamentare më 9 shkurt 2025.
Jo pakkush i ka parë deklaratat e bëra së fundmi për Asociacionin si zvarritje të temës deri pas zgjedhjeve. Agon Maliqi në mesin e tyre.
“Deklaratat e kryeministrit i shoh si, thjesht, manovra të përkohshme për heqje të presionit para zgjedhjeve”.
Toby Vogel, ndërkaq, paralajmëroi për presion të shtuar ndaj Qeverisë së radhës.
Sipas tij, nëse Kurti i fiton zgjedhjet, “nuk do të mundet pafundësisht të paraqesë arsye të reja pse nuk mund të formohet Asociacioni”.
Ai tha se më e rrugës do të ishte nëse Kurti do t’ua sqaronte komuniteteve pse në situatën aktuale disa marrëveshje të dialogut kanë mbetur pezull, dhe që njëkohësisht Kosova t’ua bëjë të qartë partnerëve që edhe Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për veprimet e veta.
“Gjithë procesi duhet të zhbllokohet, jo vetëm ngërçi për Asociacionin”, theksoi ai.
Duke e parë situatën aktuale, Vogel vlerësoi se zor që mund të merret dikush me Asociacionin menjëherë pas zgjedhjeve. /REL/
Kosova
“Tageszeitung” e Berlinit: “Shumë njerëz në mbarë Evropën Juglindore dëshirojnë personalitete si Kurti si politikanë në vendet e tyre”
Nuk kanë kaluar as pak muaj që kur Albin Kurti vizitoi Sarajevën, kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës.
Kryeministri i Kosovës mori duartrokitje të stuhishme nga politikanë e publicistë, nga antifashistë e punëtorë ndërtimi, nga gra e burra që ndodheshin rastësisht në atë ndërtesë. Kurti ka karizëm dhe është i besueshëm. Këtë e ndjenë njerëzit në sallë atëherë, dhe këtë e treguan edhe të dielën, kur Kosova e rizgjodhi Kurtin me 50 për qind të votave.
Gjithkush në atë sallë në Sarajevë e dinte se Albin Kurti, që kur ishte student në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, ishte pjesë e rezistencës me mjete paqësore kundër pushtimit serb; se ai dergjej në burgjet serbe që nga viti 1998 dhe se më në fund, në vitin 2000, pas luftës së Kosovës, mundi të kthehej në atdheun e tij. Serbët, deri para pak kohësh, donin të pengonin çdo kontakt mes shoqërisë boshnjake dhe asaj kosovare. Të dyja shoqëritë pësuan më së shumti gjatë luftërave të Jugosllavisë (1991-2001) nga sulmet e forcave ushtarake serbe; miliona njerëz u dëbuan atëherë dhe dhjetëra mijëra u vranë. Ky fat i bashkon ata.
Njësoj i bashkon edhe vetëdija se shoqëritë e përcaktuara mbi baza etnike çojnë vetëm në konflikte të mëtejshme. Bosnja, para 30 vitesh, u nda në zona etnike me ndihmën e rusëve, SHBA-së dhe gjithashtu Evropës; këtë gjë Kurti dëshiron ta shmangë me çdo kusht në Kosovë. Ai angazhohet për një shoqëri multietnike, duke qëndruar kështu pas kushtetutës së vendosur nga OKB-ja. Të drejtat e pakicave janë të garantuara, siç e dëshmojnë enklava e Graçanicës dhe zona të tjera. Por Serbia kërkon të imponojë ndarjen etnike në Kosovë dhe kështu provokon vazhdimisht konflikte, të cilat pastaj i faturohen Kurtit.
Por njerëzit në Kosovë i besojnë atij dhe qeverisë së tij; Kurti nuk është një „nacionalist i majtë“. Nuk është për t’u habitur që shumë njerëz në mbarë Evropën Juglindore dëshirojnë personalitete si Kurti si politikanë në vendet e tyre. /REL
Kosova
Këta janë 10 kandidatët më të votuar në Vetëvendosjes
Komisioni Qendror Zgjedhor po vazhdon me numërimin e votave për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Ndërsa, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë ka shkuar mbi 10 për qind, kurse rezultatet preliminare për dhjetë kandidatët më të votuar të Vetëvendosjes deri në orën 18:25 janë këto:
Albin Kurti me 37,026 vota,
Glauk Konjufca me 28,972 vota,
Hekuran Murati me 15,143 vota,
Albulena Haxhiu me 14,823 vota,
Donika Gërvalla me 13,016 vota,
Xhelal Sveçla me 11,922 vota,
Hajrulla Çeku me me 10,682 vota,
Avni Dehari me 9,709 vota,
Mimoza Kusari me 9,050 vota
Ejup Maqedonci me 8,493 vota.
Pas procesimit të rezulateve preliminare në platformën e KQZ-së, LVV ka fituar 49.30% të votave.
Në bazë të këtyre rezultateve, LVV siguron 56 mandate(pa votat e diasporës dhe ato me kusht)./REL
Diaspora
Kryetari shqiptar i komunës së Morbachut bëhet viral në Gjermani
Kryetari i komunës së Morbachut në landin Rheinland-Pfalz të Gjermanisë, Arianit Besiri, me prejardhje nga Mitrovica, është shndërruar së fundmi në një nga figurat më të komentuara në rrjetet sociale dhe media gjermane, falë mënyrës së veçantë të komunikimit dhe afrimit me qytetarët e komunës që ai drejton.
Besiri, i cili u zgjodh kryetar komune si kandidat i SPD-së me 60.2 për qind të votave, po vlerësohet gjerësisht për qasjen e tij të drejtpërdrejtë, të hapur dhe njerëzore ndaj banorëve. Ai shihet shpesh në terren, në biseda të drejtpërdrejta me qytetarët, pa formalizma të tepruara, gjë që ka ndikuar dukshëm në rritjen e besimit dhe simpatinë ndaj tij.
Në video dhe intervista të shpërndara në rrjete sociale, banorë të Morbachut kanë folur me fjalë shumë pozitive për kryetarin e tyre. Giovanni Tatoli, nxënës, ka theksuar se Besiri është shumë i afërt me të rinjtë dhe i qasshëm në çdo moment. Po ashtu, edhe Rokkea Alabudalla, nxënëse, ka vlerësuar komunikimin e hapur dhe mënyrën miqësore me të cilën kryetari i komunës i dëgjon qytetarët.
Vlerësime të ngjashme kanë dhënë edhe banore të tjera të komunës, si Sonja Kummerer, Manuela Fritsch dhe Marita Fritsch, të cilat e kanë përshkruar Besirin si një kryetar komune shumë të afërt me njerëzit, plot energji, shpeshherë edhe me humor, por mbi të gjitha si një drejtues që po bën një punë të mirë dhe të ndershme për komunitetin lokal.
Kjo qasje e tij ka bërë që Arianit Besiri të përmendet gjithnjë e më shumë si shembull pozitiv i integrimit dhe suksesit, jo vetëm për komunitetin shqiptar në Gjermani, por edhe më gjerë. Për shumë banorë të Morbachut, ai përfaqëson një model modern të udhëheqjes lokale, të bazuar në dialog, transparencë dhe afërsi me qytetarin./Albinfo.ch.
-
Albania21 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK21 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania3 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports20 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania22 hours agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania2 days agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
UK2 days agoPrinci William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
