Albania
Nga Enton Abilekaj/ Pse nuk duhet votuar Erion Veliaj të dielën
Nga Enton Abilekaj
Një makineri e kushtueshme, që punon enkas për Erjon Veliajn, kontraston me të gjithë fushatën. Edhe në ditët e fundit, kjo e 2023 mbeti një fushatë e varfër, me mjete modeste, pa sponsorizime të bujshme. Bie në sy vetëm luksi i shfrenuar i fushatës së Veliajt. Dhjetëra këngëtarë dhe figura publike me influencë u reshtuan për të kërkuar votën për “lalin” e tyre bujar, Tit Vullkani i panjohur u bë ahengxhiu personal i kandidatit të Tiranës, asfalti elektoral shpërtheu në çdo rrugicë, edhe në rrugët që prej vitesh prisnin për ndërhyrje, ekranet e Televizioneve u sollën me Veliajn, si të ishte personazh i një Reality Show pa patentë, ndërsa bllokuan Belind Këlliçin, në të njëjtën kohë që Reality Show i vërtetë u celebrua në tarracën e Bashkisë.
Ky kontrast mund të shërbejë më shumë se çdo fjalë, çdo akuzë dhe çdo argument, për të kuptuar pse nuk duhet të votohet Erjon Veliaj. Mjafton të shpjegosh si ndodhi që, kur Kryeministri deklaron hapur se gjysma e fondeve që PS mori në zgjedhje shkoi për blerje fidanësh, kur Kryetari i PS, sa për sy e faqe, bën fushatë pa shpenzime nëpër ato pak lulishte që kanë mbetur, Kryetari i Bashkisë së Tiranës i siguron vetes trajtimin si pronar i gjithë mediave dhe bamirës i gjithë personazheve të famshëm?
Ky trajtim i veçantë prej sheiku dorëlëshuar lidhet me shkatërrimin e qytetit. Më rreth 8 milionë metër katrorë leje ndërtimi në 8 vjet, Erjon Veliaj ka thyer çdo rekord të betonizimit të hapësirave, ka shkatërruar çdo ambient komunitar, çdo mundësi për një minilulishte, apo një minipark lodrash, çdo hapësirë për shkollë, kopsht apo çerdhe publike brenda lagjeve të reja që po ndërtohen papushim. Tirana, më shumë se kurdo në këto 8 vjet, është shndërruar në një xhungël betoni, ku vetëm mund të flesh, nëse të lejon zhurma 24-orëshe e betonierave.
Nuk mund të marrësh frymë se thith benzen, ose dioksid azoti, ose pluhur çimentoje. Nuk mund të pish ujë se nuk ka asnjë çertifikim dhe garanci. Nuk mund të dalësh shëtitje sepse makinat të kalojnë përpara hundës, në trotuaret që kanë mbetur si trarë ekuilibri, nuk mund të luash, nuk mund të shplodhesh. Për gjithçka tjetër përveç gjumit, duhet të shkosh te Parku i liqenit, që duke qenë i vetmi është i mbipopulluar dhe, megjithatë po zvogëlohet çdo ditë, ose të dalësh nga qyteti, ndonjëherë edhe nga shteti. E vetmja gjë që mund të bëhet sa del nga shtëpia, është të pish kafe në një nga 3 baret për pallat, ose të pish hashash nëpër cepa që kanë privatësi. Një i ri që do të merret me sport, mund të shkojë vetëm në palestrën e katit të dytë, të paguajë 5 mijë lekë seancën ose 1 mijë lekë cigaren e hashashit (vetëm çmimi i hashashit ka përsuar rënie në qeverisjen e Rilindjes). Kështu betonizimi i Tiranës po shkatërron qytetarët e vet dhe më shumë të rinjtë.
Betonizimi pa kriter, që po merr hapësirën dhe cilësinë e jetës së të gjithëve që po i çon në probleme shëndetësore dhe sociale nuk vjen si nevojë për strehim. Vetë të dhënat e institucioneve zyrtare tregojnë se janë ndërtuar pothuajse 2 herë më shumë apartamente se sa është nevoja. Shpjegimi i Veliajt për ardhjen e banorëve të rinj nga rrethet, nuk justifikon pse për të strehuar banorë të rinj duhet t’u shkatërrohet jeta atyre aktualëve.
Ajo që e bën më skandaloze situatën e xhunglës së betonit, është fakti që të paktën prej 23 vjetësh, kur ndërtimet filluan të pushtonin hapësirat e qytetit, nuk ka përfunduar në asnjë lagje, në asnjë bllok. Duke marrë çdo hapësirë boshe, prej 23 vjetësh familjet flenë dhe zgjohen me zhurmën e betonit, me pluhurin e çimentos, me klithmat e sharrave dhe trapanëve.
Dhe e keqja më e madhe është se shkatërrimi i qytetit dhe i banorëve bëhet në favor të një lloji biznesi që shkatërron ekonominë dhe vendin. Bëhet për të pastruar paratë e pista, në favor të biznesmenëve fantazëm, ose kompanive më të mëdha që fusin brenda tyre flukse parash që vijnë nga burime kriminale, ose të dyshimta. Kjo shkatërron ekonominë e ndershme dhe krijon varësinë e ekonomisë së Tiranës dhe gjithë vendit nga ndërtimi dhe nga paratë e pista.
Taksat e ndërtimit përbëjnë 40 për qind të buxhetit të Bashkisë. Pa to do të bllokohej gjithçka. Tirana sot shet trupin dhe organet për të jetuar, ndryshimi i strukturës ekonomike është domosdoshmëri, për të zgjatur jetën e qytetit.
Nga ky shkatërrim, buron fuqia ekonomike e Veliajt, të cilën ai e shpalosi me pompozitet në këtë fushatë, për ta shndërruar në fuqi politike. Kjo fuqi, në një sistem ku pushteti ka akaparuar gjithçka, edhe votën, mund të mbetet e pamposhtur këto zgjedhje. Kjo do të ishte fitorja e së keqes. Për këto arsye, ajo apo ai që do dalë të dielën të votojë kundër shkatërrimit të mëtejshëm të Tiranës dhe Shqipërisë, do të votojë për veten, do të votojë që të mos detyrohet të ikë nga Tirana, të ikë nga vendi./Dosja.al/
Albania
Bujqësia po e humb peshën e saj në ekonomi, sektori në rënie të lirë
Bujqësia po e humb peshën e saj në ekonomi. Tkurrja e fondeve që qeveria po i vë çdo vit në dispozicion po bën që sektori të prodhojë më pak vlerë të shtuar në ekonominë e vendit. Kjo ecuri negative u vu edhe më shumë në dukje në tremujorin e tretë të vitit gjatë së cilit kontributi i bujqësisë në ekonomi ishte negativ… 0.41 për qind më pak se në po të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë.
“Kam shkruar një artikull në vitet 2000 ku thosha se bujqësia është si puna e një lope që milet tre herë në ditë dhe ushqehet vetëm një herë. Kjo lopë, në këtë rast bujqësia është e destinuar të vdesë”, thotë për A2, Esmeralda Ballesha, eksperte për bujqësinë.
Bujqësia ka hyrë tashmë në cikël rënës, e ndikuar nga njëra anë, nga pakësimi i popullsisë në fshat nga emigracioni i brendshëm dhe i jashtëm dhe mungesa e subvencioneve shtetërore, në anën tjetrën, që e kanë përkeqësuar klimën në sektor.
“Duhet ta themi hapur. Të gjitha qeverisjet në këto 30 vite kanë qenë neglizhente për sa i përket politikave me fshatin. Mentaliteti i qeverive ka qenes e fshatari mori tokën e tij e tani le t’ia dalë vetë. Kjo ka qenë fatale për sektorin e bujqësisë”, thotë Ballesha.
Vitin e kaluar, prodhimi në sektorin bujqësor shënoi rënie me 0.69 për qind. Kjo ndodhi në një kohë kur ekonomia u rrit me gati 3.5 për qind, çka dëshmon se sektori është lënë tashmë në rënie të lirë. “Unë them që minimalisht bujqësia duhet të ketë në dispozicion 800 milionë euro. e Theksoj. Minimalisht. Për të kapur ritmin e vendeve të tjera të Rajonit. Më tej në Europë jemi larg konkurrencës”, thotë Ballesha.
Të jesh i madh, jo gjithmonë do të thotë se ke avantazh. Shembulli më i mirë në vend është bujqësia. Kontributi i saj në ekonomi ka qenë gati 22 për qind e totalit, por sektorit përherë e më shumë po merr më pak para nga buxheti i shtetit. Rrjedhimisht po prodhon më pak vlerë të shtuar në ekonomi.
Albania
Berisha uron Kurtin për fitoren: Zgjedhjet, një sukses i vërtetë i demokracisë në Kosovë!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për fitoren e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Përmes po postimi në rrjetet sociale, Berisha shkruan se edhe partitë e tjera politike të Kosovës mbajtën qëndrime dinjitoze gjatë fushatës, për respektimin e vullnetit të qytetarëve.
Po ashtu Berisha shkruan se këto zgjedhje treguan se në Kosovë ka garë të lirë dhe demokratike, shkruan A2 CNN.
Kreu i PD nuk harroi të akuzonte kryeministrin Edi Rama për pengim të procesit të rregullt zgjedhor në Shqipëri.
Postimi i Berishës:
Zgjedhjet Parlamentare të 28 dhjetorit 2025 në Kosovë, një sukses frymëzues për Shqipërinë
Të dashur miq, dje Kosova zhvilloi zgjedhjet palamentare të parakohshme, të dytat në një hark kohor 10 mujor. Këto zgjedhje për fushatën, procedurën e votimit, garën e lirë, administrimin e votës ishin një sukses i vërtetë i demokracisë së re të Kosovës dhe mbarë qytetarëve të saj dhe shpresoj një frymëzim për shqiptarët në Shqipëri, ku armiku i egër i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, Ramaduro i Europës, ka shndërruar procesin jetik të zgjedhjeve të lira në farsë të shëmtuar elektorale.
Me këtë rast dua të uroj përzemërsisht qytetarët e lirë të Kosovës, autoriteret e vendit dhe institucionet e administrimit të procesit zgjedhor dhe forcat politike për arritjen e vërtetë të rendit demokratik të vendit të tyre.
Uroj fituesin e zgjedhjeve Z. Albin Kurti për fitoren e thellë të këtyre zgjedhjeve, por edhe të gjitha forcat e tjera politike për pjesëmarrjen dhe qëndrimet e tyre dinjitoze gjatë fushatës dhe respektimin e vendimit të sovranit. Dhe njëherë urime Kosovës, krenari e shqiptarëve! #sb
Albania
Autoboti i pastrimit të ujërave të zeza, po shpërndan ujë për qytetarët në Vlorë
Qytetarët e Vlorës kanë protestuar sërish sot para dyerve të Bashkisë pasi prej 4-5 ditësh janë pa ujë të pijshëm pas një defekti në linjën kryesore të ujësjellësit.
Njëri prej qytetarëve ka telefonuar kryebashkiaken Brunilda Mersini duke i kërkuar që të vijë personalisht dhe të bisedojë me qytetarët për situatën por Mersini i ka mbyllur telefonin qytetarit pa i dhënë asnjë zgjidhje.
Si pasojë e pakënaqësisë, qytetarët janë zhvendosur në rrugën kryesore, duke bllokuar qarkullimin. Ata kanë pasur disa përplasje me policinë dhe kanë hedhur vezë dhe letra higjenike para ambienteve të Bashkisë.
Ndërkohë, Ujësjellësi i Vlorës ka njoftuar banorët se uji i sjellë me autobotë duhet përdorur vetëm për nevoja emergjente dhe jo për konsum oral. Në njoftim thuhet:
‘Ujësjellës Kanalizimeve Rajoni Vlorë, njofton qytetarët se ujin të cilin po e marrin nga autobotet, duhet t’a përdorin për nevoja emergjente dhe jo për përdorim oral.’
Nga ana tjetër qytetarët shprehen se autoboti që shihni në foto përdoret për zhbllokimin e pusetave të ujërave të zeza, por tani po shpërndan edhe ujë dhe në pikë të hallit kanë marrë bidonat dhe po mbushin ujë.
-
Albania12 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK11 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports11 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania12 hours agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania1 day agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
UK1 day agoPrinci William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
