Për herë të parë, kampi i muxhahedinëve hapi dyert për mediat shqiptare për të depërtuar si rrallë herë në brendësi të tij.
Forcat e policisë hasën edhe me rezistencën e iranianëve brenda në kamp, ndërsa një prej efektivëve u lëndua dhe mori trajtim mjekësor. Urdhri për kontrolle u lëshua nga gjykata pas dyshimeve për terrorizëm dhe sulme kibernetike. Aksioni, i cili u drejtua nga kreu i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, hasi në rezistencën e muxhahedinëve, të cilët kundërshtuan forcat blu në zbatimin e ligjit, ndërsa në mbyllje të kontrolleve arritën të largojnë nga kampi efektivët.
Mes tensioneve për përdorim dhune nga forcat blu muxhahedinët ngritën pretendime se policia ka vrarë një anëtar të komunitetit të tyre. I moshës 68-vjeçare anëtarë të MEK i treguan mediave dhe trupin e tij të pajetë që sipas mjekëve, muxhahedinë humbi jetën nga përdorimi i spray lotsjellës. Për ngjarjen, mbërritën dhe ekspertë të mjekësisë ligjore, të cilët pritet të përcaktojnë shkakun e vdekjes.
Ministria e Brendshme reagoi zyrtarisht duke njoftuar se ndërhyrja e organeve ligjzbatuese është bërë pasi veprimet e tyre bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK prej vitit 2014 kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare.
Thelbi i marrëveshjes së vitit 2014 me MEK është se ato duhet të strehohen këtu vetëm për ‘qëllime humanitare dhe jo të kryejnë aktivitete të tjera’. Nga ana tjetër jozyrtarisht mësohet se kontrollet janë ushtruar pas dyshimeve për terrorizëm dhe sulmeve të mundshme kibernetike ndaj Shqipërisë.
Burime pranë policisë thanë se janë kontrolluar të gjitha ambiente e kampit, ndërsa janë sekuestruar disa laptopë e dokumente të cilat janë kërkuar nga prokuroria.