Presidenti i SHBA, Donald Trump, përsëriti të martën kërcënimin për vendosjen e sanksioneve të rënda ekonomike ndaj Rusisë, nëse ajo nuk ndalon luftën kundër Ukrainës.
Duke folur gjatë një takimi të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, Trump theksoi se kjo nuk do të kthehej në një luftë botërore, por në një “luftë ekonomike”, që sipas tij “do të ishte e keqe për Rusinë”.
Megjithatë, presidenti amerikan nënvizoi se ende shpreson për një zgjidhje të negociuar dhe nuk dëshiron të vendosë tarifa të reja që do të dëmtonin ekonominë ruse.
Në deklaratat e tij, Trump nuk ngurroi të aludonte se edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mban një pjesë të përgjegjësisë për konfliktin, duke e cilësuar “jo krejt të pafajshëm”.
Ai hodhi poshtë edhe deklaratat e fundit të Moskës, e cila refuzon të firmosë një marrëveshje paqeje me Zelenskyn, duke thënë: “Nuk ka rëndësi se çfarë thonë. Është gjithçka e pakuptimtë.”
Trump pranoi se procesi i zgjidhjes së luftës ka rezultuar më i vështirë sesa kishte menduar. “Ajo që mendoja se do të ishte gjëja më e lehtë, po rezulton të jetë gjëja më e vështirë. Por mendoj se do ta përfundoj,” tha ai.
Ndërkohë, edhe pse ka kërcënuar disa herë me afate për rritjen e presionit ndaj Moskës, Trump nuk ka ndërmarrë ende veprime konkrete, duke i zgjatur vazhdimisht afatet që i kishte vendosur presidentit rus Vladimir Putin.