Të paktën 7000 persona u arrestuan pas protestave që kanë filluar muajin e kaluar në Iran, theksoi sot Komisariati i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, duke kërkuar lirimin e personave të ndaluar në mënyrë arbitrare.
“Të paktën 7000 persona janë arrestuar në 28 nga 31 provincat iraniane që prej fillimit të manifestimeve që nisën më 15 nëntor”, deklaroi një zëdhënës i Komisariatit të Lartë, Rupert Colville, në një konferencë shtypi.
“Komisionerja e lartë, Michelle Bachelet është shumë e shqetësuar nga kushtet e tyre të ndalimit, trajtimi fizik që u është bërë atyre dhe nga shkelja e të drejtave të tyre si dhe për mundësinë që një numër i madh mes tyre janë akuzuar për vepra që i nënshtrohen dënimit me vdekje”, shtoi ai.
“Iu bëj thirrje autoriteteve që të lirojnë menjëherë të gjithë manifestuesit që janë privuar në mënyrë arbitrare nga liria e tyre”, nënvizoi Bachelet në një komunikatë.
Manifestimet në Iran shpërthyen më 15 nëntor pas njoftimit për një rritje të çmimit të naftës, mes një krize ekonomike të rënduar nga sanksionet amerikane dhe kanë prekur qindra qytete.
“Amnesty International” theksoi gjithashtu se të paktën 208 persona janë vrarë nga forcat e sigurisë iraniane duke konfirmuar se bilanci real i këtyre vrasjeve është edhe më i lartë./ATSH/