Në prag të Samitit të BE që duhet të mbahet në qershor, ministri për punë të jashtme, Bujar Osmani u takua me kolegun gjerman, Hajko Mas në Berlin. Zgjidhja e kontestit me Bullgarinë duhet të jetë çështje dypalëshe, vlerëson Mas dhe shtoi se në Komisionin e përzier nuk duhet të marrin pjesë ekspertë të jashtëm. Shton se Gjermania edhe më tej angazhohet që Maqedonia sa më shpejtë të gjejë zgjidhje dhe me këtë të fillojnë negociatat.
“Ofrojmë edhe më tej mbështetje me përvojat tona nëse kjo nga ana e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dëshirohet. Këto çështje mbeten që të zgjidhen në nivel bilateral dhe nga vetë ekspertët, historianët, duhet të udhëhiqen në suaza të komisioneve, pa presion nga jashtë”, tha Hajko Mas – Ministër Gjerman për Punë të Jashtme.
Përkundër mossuksesit të vitit të kaluar, Osmani sheh mundësi të re në qershor. Posaçërisht inkurajon fakti që Gjermania mbetet në rolin e saj proaktiv me kryesimin portugez në mbështetje të proceseve euro-integruese të vendit tha Osmani.
“Samitet e qershorit të BE-së ofrojnë mundësoi unike për ta bërë hapin e vërtet. Operacionalizimi i vendimit për fillimin e negociatave përmes miratimit të kornizës negociuese dhe mbajtjes së Konferencës së parë ndërqeveritare si fillim formal të negociatave”, theksoi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.
Edhe Osmani edhe Mas mendojnë se Maqedonia dhe Shqipëria nuk duhet të ndahen në pakon e negociatave edhe pse vendi ynë është ngecur me kontestin me Bullgarinë.
“Procesi aderues për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, të udhëhiqet së bashku në pako dhe mendoj se në këtë moment Qeveria federale e Gjermanisë shumë angazhohej për këtë gjë gjatë kryesisë. Çfarëdolloj mendime të tjera për ndarje, janë mendime që ne nuk i ndajmë”, shtoi Hajko Mas.
“Kur shtetet lëvizin së bashku në proces, sinergjia që krijohet, është më e madhe se përmbledhja e lëvizjeve individuale të shteteve. Thjeshtë mendojmë se Republika e Shqipërisë dhe Republika e Maqedonisë së Veriut i kanë plotësuar kushtet, duhet t’i fillojnë negociatat. Nuk shohim arsye se pse do të kishte ndarje, veçanërisht kur Republika e Maqedonisë së Veriut i ka plotësuar të gjitha kriteret”, potencoi ministri i Punëve të Jashtme – Bujar Osmani.
Pas vizitës së sotme të Gjermanisë, Osmani vazhdon me ofensivën diplomatike. Duke filluar prej nesër, do t’i vizitojë Danimarkën dhe Suedinë.