Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova mund të mbajë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës, nëse 20 për qind e votuesve nënshkruajnë një peticion me këtë kërkesë.
Duke folur në një intervistë për Reuters, Osmani është shprehur se peticioni është “mënyra më demokratike” për shpallje të zgjedhjeve.
“Në këtë mënyrë, mendoj që garantojmë pjesëmarrjen e serbëve, sepse kërkesa do të duhej të vinte prej tyre, prej qytetarëve”, ka thënë ajo.
Pjesëtarë të komunitetit serb i kanë bojkotuar zgjedhjet e prillit, të cilat i kanë fituar kandidatët shqiptarë. Ndërsa më 29 maj protesta është përshkallëzuar në dhunë, mes pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe protestuesve serbë.
Sipa presidentes Osmani largimi i kryetarëve aktualë, përmes një peticioni, do të ishte “një lloj referendumi”, i cili do të hapte rrugë për një proces të dytë zgjedhor.
Ajo ka vënë në dukje se i gjithë procesi mund të kryhet brenda muajsh. Por sipas Osmanit, se para se të shpallen zgjedhjet e reja, Kosova duhet të marrë garanci nga komuniteti ndërkombëtar që Beogradi nuk do të ndërhyjë në këtë proces.
Osmani ka thënë se trupat paqeruajtëse të qëndrojnë në Kosovë, derisa vendi të pranohet në NATO.
Osmani e ka përshkruar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq si “burrë dramatik”.
“Vuçiç në shumicën e takimeve të tij i kthen në dramë. Prandaj, ai ka tentuar të krijojë drama sërish, mirëpo nuk ka ofruar ide që mund të kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin në rajon. Ai mendon se po bën koncesione të mëdha, se ai është nën presion të madh, që po vuan, që është në rrezik, e gjëra të ngjashme. Mirëpo diçka e tillë nuk duhet të tolerohet pas moshës katërvjeçare”, ka deklaruar Osmani.
Komuniteti ndërkombëtar ka dalë së fundi me tri kërkesa për Qeverinë e Kosovës: shtensionimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.