Kostot e ndërtimit në Shqipëri vijojnë të mbeten në nivele të larta, ndërsa faktor kryesor për këtë situatë po rezultojnë pagat në sektor.
Të dhënat më të fundit tregojnë se presioni mbi shpenzimet e ndërtuesve nuk vjen më kryesisht nga materialet, por nga rritja e kostos së fuqisë punëtore.
Sipas të dhënave të Indeksit të Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e katërt të vitit 2025 indeksi arriti në 114,1 pikë, duke marrë si periudhë bazë tremujorin e katërt të vitit 2021.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, indeksi është rritur me 1,2 për qind, një normë e njëjtë me atë të regjistruar edhe në tremujorin e fundit të vitit 2024.
Analiza e komponentëve që përbëjnë këtë indeks tregon se rritja më e fortë e kostove lidhet me pagat. Shpenzimet për paga janë rritur me 6 për qind në raport me një vit më parë, duke rezultuar faktori kryesor që mban të larta kostot totale të projekteve të ndërtimit.
Në të njëjtën kohë, edhe disa kategori të tjera kanë shënuar rritje më të moderuar. Shpenzimet për makineri dhe kosto të tjera janë rritur secila me nga 1,8 për qind, ndërsa shpenzimet e transportit janë rritur me 1,6 për qind.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, materiali i ndërtimit nuk po ushtron më presion në rritjen e kostove. Në të kundërt, grupi i shpenzimeve për materiale ka shënuar një ulje prej 0,9 për qind në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.
Brenda këtij grupi, materiali bazë i ndërtimit ka shënuar rënien më të madhe me 1,1 për qind. Po ashtu kanë rënë edhe kostot për materialet hidro-sanitare dhe ventilimin me 0,6 për qind, si dhe materialet elektrike dhe të komunikimit me 0,1 për qind.
Këto zhvillime tregojnë se struktura e kostove në sektorin e ndërtimit po ndryshon gradualisht. Ndërsa çmimet e materialeve po stabilizohen, mungesa e fuqisë punëtore dhe rritja e pagave po bëhen faktori kryesor që mban të larta kostot e projekteve në këtë sektor.
Marrë nga Skyweb.al


