Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një lidhje live nga faqja e tij zyrtare, u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës, që do të mbahet këtë të shtunë në orën 18:00 para Kryeministrisë. Berisha shprehet se beteja e opozitës do të vazhdojë deri në rrëzimin e Edi Ramës.
“Të dashur miq, jemi në një udhëkryq tejet të rrezikshëm. Protesta jonë, kryengritja jonë paqësore, ka tronditur në themele regjimin dhe ka pasur jehonën më të fuqishme në Europë dhe në botë.
Ka pasur jehonën më pozitive se të gjitha protestat që kemi organizuar ndonjëherë, pasi në kushtet e një flagrance në vjedhje të kryeministrit, zëvendëses së tij, dhe përpjekjeve të tyre për grusht shteti, ne u treguam shqiptarëve dhe botës se opozita shqiptare është në këmbë, është e tëra kundër këtij regjimi dhe nuk pajtohet me të. E them dhe e përsëris, ne mbrojtëm dinjitetin e këtij vendi, mbrojtëm dinjitetin e kombit tonë dhe bëmë detyrën që kemi në misionin e shpëtimit të Shqipërisë”, tha Berisha.
Ai shprehet më tej se sërish do të ketë revoltë dhe në ditën e sotme dhe se do ta vënë me shpatulla pas murit Edi Ramën.
“Revolta tronditëse e qytetarëve shqiptarë e vuri me shpatulla pas muri Edi Ramën.
Nxori në shesh para shqiptarëve dhe botës fytyrën e tij të vërtetë prej diktatori.
Pasi dështoi me grushtin e shtetit me Gjykatën Kushtetuese, ai përpiqet me ndryshime ligjesh të krijojë një mburojë për veten dhe bashkëhajdutët e tij, në mënyrë që ligji të mos mund t’i dënojë dhe të vazhdojnë të qetë të vjedhin fondet dhe pasuritë publike. Dhe po në këtë kontekst, ai bëri dje një riformatim të qeverisë, me të cilin faktoi më shumë se çdo gjë tjetër se Lubia është vetë Rama. Apo, me fjalë të tjera, fuqinë e pakufishme të Lubisë mbi Ramën.
E marrë hua nga populli që thotë se u mbars mali dhe polli një mi, ne themi: dështoi Lubia dhe populli tre ministra dhe një zëvendësministër”, shton më tej Berisha.
Sa i përket sulmeve të SHBA-ve dhe Izraelit ndaj Iranit, Berisha uroi që regjimi diktatorial iranian të marrë ndëshkimin e merituar.
“Ndërkohë sot në mëngjes, agjencitë e lajmeve njoftuan se forcat ajrore të Izraelit dhe të SHBA-ve kanë bombarduar rezidencat dhe qendrat e udhëheqësve diktatoriale teokratikë të ajatollahëve të Iranit.
Le të urojmë që kenë marrë përgjigjen e merituar pasi ky regjim ka vrarë të rinj dhe të reja, qytetarë të vet, më shumë se çdo regjim i kohës së sotme.
Le të urojmë që të marrin ndëshkimin e merituar sepse prej kohësh e kanë merituar një ndëshkim të tillë”.


