Papa Françesku e ka përgëzuar gazetarin që e pa atë duke i vizituar shokët e vjetër, të cilët kanë një dyqan të incizimeve muzikore në Romë këtë javë, duke u tallur se ishte fati i tij i keq që doli lajmi.
Vizita e mbrëmjes së të martës do të duhej të mbetej sekrete, por Javier Martinez-Brocal, gazetar i agjencisë “Rome Reports” ishte në atë zonë të Romës qendrore rastësisht. Ai e incizoi Papa Françeskun me telefon, e publikoi viden në Tëitter dhe pamjet u bënë shumë të popullarizuara.
Në një letër dërguar gazetarit të enjten, Papa Françesku e përgëzoi atë për punën dhe e vajtoi fatin e vet të keq. “Nuk mund të mohohet se ishte një rast i fatit të keq, që pas marrjes së të gjitha masave, aty ishte një gazetar te vargu i taksive. Njeriu nuk duhet ta humbë sensin e humorit. Faleminderit që e bëre punën tënde, edhe nëse ajo e ka vënë papën në vështirësi”, thuhet në letrën e Papa Françeskut.
“Ajo që më mungon më së shumti (që nga koha kur u bëra papë) është pamundësia për të ecur rrugëve, siç bëja në Buenos Aires, duke ecur nga një famulli te tjetra”, thuhet më tej në letër, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.
Pronarët e dyqanit më vonë thanë se ia dhanë papës një set të CD-ve me muzikë klasike. Dihet që Papa Françeskut i pëlqejnë Betoveni, Mozarti dhe Bachu, por edhe muzika tango nga atdheu i tij, Argjentina.