Banorët e Parisit kanë votuar për ndalimin e skuterëve elektrikë në rrugët e qytetit, në atë që shihet si një fitore për aktivistët e sigurisë rrugore.
Në referendumin e së dielës, 90 për qind e votuesve mbështetën ndalimin, por me më pak se 8 për qind të atyre me të drejtë vote.
Skuterët, ose monopatinat, janë të lehta për t’u gjetur dhe për t’u marrë me qira përmes një aplikacioni dhe mund të merren dhe të lihen në çdo cep të qytetit që qiramarrësi zgjedh.
Por ndërsa Parisi mbushet me turistë, shumë banorë ankohen se skuterët elektronikë janë një kërcënim për trafikun, me këmbësorët që ankohen për drejtim të papërgjegjshëm.
Që nga nisja e qarkullimit në qytet 5 vjet më parë, monopatinat janë përfshirë në disa qindra aksidente, disa prej të cilave fatale.
“Ata janë të rrezikshëm si për ata që i përdorin, ashtu dhe për këmbësorët”, deklaroi Francoise Garnier, një doktor që votoi ditën e diel.
Ndërkohë, kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo, që bëri fushatë për ndalimin e tyre për arsye sigurie, për motive bezdie dhe dëme mjedisore, e cilësoi rezultatin e votimit si “shumë të qartë”.
Për pasojë, 15 mijë pikat e vetëshërbimit të skuterëve do të mbyllen brenda fundit të gushtit, kur kontrata e administratës vendore me tre operatorët të skadojë.