Ish-kryeministri i Kosovës në ekzil Bujar Bukoshi, i ka komentuar zhvillimet e fundit në vend. Bukoshi në një reagim dërguar në adresë të Gazetës Express ka thënë se me arrestimet e fundit të ish-presidentit, Hashim Thaçi e Kadri Veselit e të tjerëve po përmbyset e vërteta e realitetit historik në Kosovë.
Kjo është letra e plotë e Bujar Bukoshit:
Kosova po përballet me një stuhi akuzash penale, ndaj udhëheqësve kryesorë politikë që dolën nga UÇK. Kështu po rrezikohet të përmbyset e vërteta dhe panorama e realitetit historik.
Në këto momente të rënda, Kosova duhet të punojë fortë për të bindur botën se problemi i saj ishte Serbia dhe përpjekja e gjenocidit serb mbi shqiptarët dhe jo shqiptarët që, bashkë me rezistencën politike dhjetëvjeçare dhe bashkë me NATO-n, luftuan dhe e shpëtuan Kosovën. Ne do e ruajmë besimin se drejtësia do të triumfojë. Më vjen mirë për guximin me të cilin të akuzuarit po përballen me drejtësinë, me maturinë dhe stoicizmin me këtë të zezë. Kështu, ata do i japin dinjitetin Kosovës dhe të ardhmes së saj.
Do ta kenë gabim të gjithë ata që duan të përfitojnë nga vakuumi institucional nga proceset e Hagës dhe do të jenë vegla qorre të kompromitimit të rëndë të drejtësisë. Ata do të bëheshin vegla të protagonizmit tribal dhe huqjes së tyre në politikë.
Kosova ende nuk e ka përmbyllur betejën e saj me Serbinë naciste dhe këtë sfidë do ta fitojmë, ashtu siç e fituam lirinë dhe pavarësinë.
Nuk dua të ndahem nga kjo botë, pa e parë Serbinë të gjunjëzuar, ashtu si Gjermania naciste pas kapitullimit të saj.
Ne shqiptarët, nuk do të ligështohemi në këtë furtunë.