Kanë kaluar 77 ditë prej se Majlinda Kelmendi dhe elita e xhudistëve të Kosovës janë izoluar në qendrën e klubit Ippon të Pejës shkaku i koronavirusit. Do të vazhdojnë të qëndrojnë deri më 2 qershor, kur edhe është paraparë hapja selektive e aktiviteteve sportive nga Ministria e Shëndetësisë.
Lëvizjet e Majlindës dhe të xhudistëve elitarë gjatë kohës së masave kanë qenë të kufizuara. Por, synimet e Majlindës nuk kanë lëvizur.
Synimi i sportistes më të suksesshme kosovare është arritja e suksesit të katër vjetëve më parë – medalja edhe në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.
Kelmendi e kategorisë deri 52 kilogramë në Lojërat Olimpike “Rio 2016” ia siguroi Kosovës medaljen e artë olimpike. Epitetin e më të mirës synon ta mbrojë edhe në vitin e ardhshëm, kur edhe janë paraparë të mbahen Lojërat Olimpike.
“Ka qenë i paraparë Evropiani i xhudos në prill, por është shtyrë, mirëpo pavarësisht sa do të ketë gara, caku do të jetë Olimpiada në Tokio. Jam bërë njëherë fituese e medaljes olimpike dhe do ta bëjë të pamundurën ta mbroj titullin”, ka thënë Majlinda në intervistën dhënë emisionit sportiv të KTV-së “Sporti Total”.
Para se të merrte pjesë në “Rio 2016”, 29-vjeçarja nga Peja e përfaqësoi Shqipërinë në Lojërat Olimpike që u mbajtën në vitin 2012 në Londër.
Por, ajo synon ta arrijë pjesëmarrjen edhe në Olimpiadën e katërt për të, “Parisi 2024”.
“Si është ajo thënia ‘qejfi më i madh se Stambolli’. Unë shumë do të kisha dëshirë të merrja pjesë edhe në një olimpiadë. Do të kisha shumë dëshirë, por nuk është se varet shumë nga dëshira e një sportisti. Varet edhe nga forma dhe si mund të menaxhohen lëndimet që mund të vijnë apo që i ke pasur. Unë nuk e pranoj të shkoj në një garë vetëm sa për pjesëmarrje. Dua të jem në kulm dhe për të qenë atje, besoni që është vështirë. Ka shumë mundësi, por do të shohim. Unë do ta jap maksimumin, por t’ia lëmë kohës”, ka theksuar Kelmendi…