Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka bërë ftesë liderit të Koresë Veriore, Kim Jong-un, që ta vizitojë shtetin që ai e udhëheq pasi u bë presidenti i parë që shkeli në tokën e vendit komunist.
Takimi i paplanifikuar më parë i dy udhëheqësve shtetërorë erdhi pasi presidenti amerikan ia bëri një ftesë homologut të tij korean përmes një postimi në Tëitter gjatë qëndrimit në Osaka të Japonisë për të marrë pjesë në Samitin e G20-ës.
Pas shtrëngimit të duarve me Kim Jongun në zonën e çarmatosur të kufirit mes dy Koreve dhe kalimit të kufirit në këmbë, Trump tha: “Kalimi mbi këtë vijë është nder i madh. Është shënuar përparim i madh, miqësi të shkëlqyeshme janë ndërtuar dhe kjo, në veçanti, ka qenë një miqësi e shkëlqyeshme”.
Pas takimit trepalësh me liderin e Koresë Veriore dhe presidentin e Koresë Jugore, Moon Jae-in, Trump më vonë deklaroi se është pajtuar me Kimin për t’i rinisur bisedimet për armët bërthamore pasi ato dështuan këtë vit dhe se e ka ftuar atë t’i vizitojë Shtetet e Bashkuara.
“Nuk po kërkojmë shpejtësi. Po kërkojmë që t’i bëjmë gjërat ashtu si duhet. Do të ndërtojmë ekipe, ato do të takohen në javët e ardhshme, do ta nisin një proces dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë”, shtoi presidenti amerikan.
Ai gjithashtu tha se sanksionet ndaj Koresë Veriore do të vazhdojnë të mbesin në fuqi, por la të kuptohet se Uashingtoni mund të ofrojë lëshime për këtë shtet, nëse Koreja Veriore bën ndonjë hap konkret për çarmatosje, shkruan “The Guardian”.