Në Medvegjë sot do të mbahet një protestë gjithëpopullore kundër diskriminimit dhe shkeljeve të të drejtave ndaj shqiptarëve.
Me moton “Kthema Adresën,” protesta synon të denoncojë zhvendosjen, pasivizimin, dhe shtypjen që po përballen shqiptarët në këtë zonë, si dhe kërkon të drejta të barabarta në përdorimin e gjuhës shqipe, simboleve kombëtare, investimeve dhe përfaqësimit dinjitoz.
Kjo protestë është vazhdim i marshimeve paqësore të mbajtura më 12 gusht në Bujanoc dhe më 23 shtator në Preshevë.
Ajo përfaqëson një qëndrim të përbashkët për identitet dhe dinjitet, duke u ngritur përballë padrejtësive dhe diskriminimit që prek të ardhmen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Nevzad Lutfiu ka bërë të ditur se sot do të mbahet protesta e radhës e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se protesta mbahet në Medvegjë.
“Protesta e radhës në Medvegjë, 3 nëntor 2024, ora 13:00, para Stacionit Policor. Për mijëra qytetarë të pasivizuar”, ka shkruar Lutfiu.
Organizatorët theksojnë se kjo lëvizje shërben për të rikujtuar që, pavarësisht mbajtjes së referendumit të 1 dhe 2 marsit 1992 dhe Marrëveshjes së Konçulit, vullneti i shqiptarëve të kësaj krahine nuk është zbatuar ende.
Për këtë arsye, protestat synojnë zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara dhe përmbushjen e detyrimeve të shtetit serb ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.