Ministrja e Jashtme e Spanjës, Arancha Gonzalez Laya, ka thënë se Spanja nuk ka ndryshuar për qëndrim sa i përket Kosovës. Ajo ka thënë se Spanja nuk e njeh Kosovën.
“Serbia mund të llogarisë në mbështetjen e plotë të Spanjës në respektim të integritetit territorial të shteteve”, ka thënë Gonzalez, duke shtuar se Qeveria e Spanjës mbetet prapa qëndrimit “të mosnjohjes së Kosovës”, raportojnë mediumet spanjolle.
Laya e ka thënë këtë gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Nikola Selakoviq.
Laya ka thënë se Spanja do të vazhdojë të mbështesë dialogun mes Kosovës e Serbisë, ndërsa ka thënë se konflikti “duhet të zgjidhet nëpërmjet dialogut mes Prishtinës e Beogradit”.
Selakoviq ka falënderuar Spanjën për gjestin dhe po ashtu edhe Rumaninë, Greqinë, Qipron e Sllovakinë, që janë shtetet e vetme të BE-së që nuk e njohin Kosovën.
Selakoviq ka thënë se qytetarët e Serbisë do ta mbajnë në mend përgjithmonë këtë gjë.