Bregdeti i Shëngjinit është pastruar tërësisht dhe është gati për pushuesit.
Bashkia e Lezhës po i kushton vëmendje të gjitha plazheve të saj për largimin e mbeturinave si dhe heqjen e leshterikëve dhe algave të mbetura në breg prej vitesh.
Pas ndërhyrjeve për pastrimin nga mbetjet plastike dhe ato të sjella në breg nga deti, Bashkia e Lezhës ka nisur “çlirimin” e bregdetit të Kunes nga masivët e leshterikëve të akumuluar prej vitesh dhe të patrajtuar më parë.
Plazhi i Kunes, i braktisur nga bizneset dhe pushuesit gjatë 3 viteve të fundit për shkak të ndotjes, po rikthehet në normalitet.
Drejtoria e Shërbimeve ka ndërmarrë një aksion për heqjen e sasive të mëdha të mbetjeve të depozituara në breg nga vërshimi i ujërave të lagunës, që e kishin bërë këtë plazh të pafrekuentueshëm.
Algat dhe leshterikët të përziera edhe me mbetje plastike të sjella nga deti kishin krijuar një situatë aspak normale dhe që e kishin bërë Kunen, nga një prej zonave më të bukura të Shëngjinit, në një ambient të padëshirueshëm.
Përgjegjësi i Shërbimeve në Bashkinë e Lezhës, Petrit Mhillaj, bëri të ditur se po hiqen sasi të mëdha mbetjesh që do të depozitohen në vende të përcaktuara duke e bërë këtë sipërfaqe plazhi gati për këtë fundjavë, pasi numri i pushuesve sa vjen dhe rritet.
Nga një plazh të braktisur për shkak të mbeturinave, tashmë zona fundore e Kunes do të jetë një mundësi për t’u shfrytëzuar si plazh publik, i pastër dhe më të gjitha shërbimet e nevojshme.
Mhillaj tha se ndërhyrjet për pastrimin dhe largimin e mbetjeve nuk janë objektiv vetëm i zonave të populluara, por i çdo metri plazh në Shëngjin dhe kjo pasi i gjithë ky bregdet është një mrekulli që duhet shijuar këtë verë.