Mbreti Felipe VI i Spanjës ka bërë të ditur se ka një pasuri prej 2.6 milionë eurove – hera e parë në histori.
Pallati Mbretëror Spanjoll të hënën zbuloi pasurinë e monarkut në një lëvizje të paprecedentë që synon të fitojë “respektin dhe besimin e qytetarëve”.
Lëvizja vjen pasi qeveria socialiste e Spanjës do të miratojë një dekret për të forcuar “transparencën, përgjegjshmërinë dhe efikasitetin” në monarkinë e vendit.
Familja mbretërore spanjolle po mundohet të përmirësojë imazhin pas një seri skandalesh që kanë përfshirë babanë e Felipes, ish-mbretin Juan Carlos I, raporton euronews.
Juan Carlos është akuzuar prej kohësh për mashtrime financiare duke e fshehur pasurinë jashtë vendit në vendet e Gjirit.
Ish-mbreti, i cili kishte qenë një figurë e njohur në Spanjë pas vdekjes së diktatorit Francisco Franco, u detyrua të abdikonte prej fronit në vitin 2014, pasi iu zbuluar jeta luksoze.
Pallati tha se pasuria e Felipes përbëhej nga rreth 2.3 milionë euro në kursime, llogari rrjedhëse, letra me vlerë, si dhe punime të artit, gjësendeve antike dhe bizhuterive.
Mbreti nuk ka asnjë pasuri të paluajtshme ose ndonjë marrëveshje financiare jashtë vendit, tha një zyrtar i pallatit, duke shtuar se ai kishte hequr dorë nga trashëgimia e Juan Carlosit.
Deklarata e pallatit vuri në dukje gjithashtu se Felipe kishte paguar tatimin për të gjitha të ardhurat e tij.