Gjermania po dërgon armë të rënda në Ukrainë, pse është e rëndësishme kjo gjë?

 2,716 total views,  2 views today

Gjermania ka rënë dakord të dërgojë tanke kundërajrore në Ukrainë, njoftoi të martën Ministria gjermane e Mbrojtjes.

Ky veprim, siç shkruan CNN, tregon një ndryshim të madh në qasjen e saj për të ofruar ndihmë ushtarake për Ukrainën.

Angazhimi për të ofruar sistemet kundërajrore Gepard u njoftua nga ministrja e Mbrojtjes, Christine Lambrecht gjatë një takimi të zyrtarëve ndërkombëtarë të mbrojtjes në bazën e Forcave Ajrore të SHBA-së Ramstein në Gjermani.

‘Ne vendosëm dje se do të mbështesim Ukrainën me sisteme kundërajrore … që është pikërisht ajo që Ukrainës i duhet tani për të siguruar hapësirën ajrore nga toka’, citohet të ketë thënë Lambrecht gjatë takimit.

Pse ka rëndësi kjo?

Sipas CNN, kjo është hera e parë që Gjermania pranon t’i sigurojë Ukrainës këtë lloj armatimi të rëndë, ndërsa ajo lufton kundër pushtimit rus.

Sistemet Gepard u hoqën nga detyra aktive në Gjermani në vitin 2010.

Gjermania fillimisht i rezistoi thirrjeve për të ofruar armatime për Kievin, duke rënë dakord vetëm për të ofruar ndihmë humanitare dhe pajisje mjekësore.

Kjo qasje ishte në përputhje me politikën dhjetëvjeçare të Gjermanisë për të mos furnizuar me armë vdekjeprurëse zonat e krizës.

Madje, vetëm disa muaj përpara se presidenti rus Vladimir Putin të urdhëronte pushtimin në Ukrainë, qeveria e re e atëhershme gjermane ra dakord të përfshinte politikën kufizuese të eksportit të armëve në marrëveshjen e saj të koalicionit.

Por duke u përballur me presionin nga aleatët dhe publiku gjerman, qeveria u detyrua të rishikonte rregullat.

Nga fundi i shkurtit, kancelari gjerman Olaf Scholz njoftoi se Gjermania do të fillonte dërgimin e disa armëve në Ukrainë, megjithëse në atë moment ai këmbënguli t’i quante ato ‘mbrojtëse’.

Ai gjithashtu njoftoi se Gjermania do të fillojë të ofrojë më shumë para për forcat e saj të armatosura.

Investimi i parë i tillë u konfirmua publikisht muajin e kaluar kur Gjermania njoftoi se do të blinte 35 aeroplanë luftarakë F-35A të prodhuara nga SHBA.