Një vrasje e dyfishtë në muajin mars për një konflikt banal, solli edhe një tjetër viktimë për shkak përplasjes mes fiseve Gosa dhe Rexha në qytetin e Kavajës. Ditën e sotme, 48-vjeçari Arian Gosa u qëllua për vdekje me armë zjarri nga Habib Rexha, 31 vjeç.
Shkak i vrasjes dyshohet se është hakmarrja, pasi më 29 mars ndodhi një vrasje e dyfishtë, ku pas një sherri banal vdiqën Edmond Gosa, vëllai i Arjan Gosës, dhe Altin Rexha.
“Kavajë/Informacion shtesë në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e sotme në një lokal, në Kavajë. Identifikohet autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit A. G.
Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor, pas këqyrjes së pamjeve filmike dhe verifikimeve të kryera, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit A. G., i cili është shtetasi Habib Rexha, 31 vjeç.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 10000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit. Policia e Shtetit vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 069 84 59999, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.”, njofton Policia e Shtetit në lidhje me identifikimin e autorit.
Si ndodhi krimi i rëndë i së dielës?
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18.30, në lagjen Nr. 1, në Kavajë, teksa Gosa ka qenë i ulur në lokal duke pirë kafe me babanë e tij. Një person është afruar dhe e ka qëlluar me një plumb në kokë, i cili ishte fatal dhe i mori jetën 48-vjeçarit.
“Kavajë/Informacion paraprak: Më datë 21.05.2023, rreth orës 18.30, në lagjen Nr. 1, në Kavajë, në një lokal, një person ende i paidentifikuar ka vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasin Arjan Gosa.
Shërbimet e Policisë pas marrjes së njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon veprimet hetimore për sekuestrimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.
Paraprakisht nga të dhënat e grumbulluara dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kavajës.
Por, si ndodhi vrasja e Edmond Gosës dhe Altin Rexhës më 29 mars?
Më 29 mars qyteti i Kavajës u trondit nga një ngjarje e rëndë, ku pas një konflikti banal, u vranë Edmond Gosa, alias Armand Gosa, dhe Altin Rexha, alias Sali Rexha. Viktimat kanë pasur një konflikt disa ditë para ngjarjes dhe më 29 mars ata u takuan rastësisht në një lokal, ku teksa u përpoqën të sqaronin sherrin, situata degradoi deri në vrasje.
Pyetja ‘Pse më sheh ashtu’ nga Edmond Gosa ka irrituar Altin Rexhës, i cili ka marrë thikën dhe ka plagosur Edmond Gosën. Më pas ky i fundit i është kundërpërgjigjur me armë, duke e lënë të vdekur Altin Rexhën, por edhe vetë Edmond Gosa humbi jetën nga plagët që mori nga plagosja me thikë.
E kaluara kriminale e vëllezërve Gosa
Edmond (Armand) Gosa nuk ishte figurë e panjohur për drejtësinë pasi ishte përfshirë edhe më parë në një ngjarje kriminale. 10 vite më parë po në qytetin e Kavajës, së bashku më vëllain e tij Arjanin, i cili mbeti i vrarë sot, masakruan me thika një person në vitin 2012.
Viktima Gentjan Gjuzi humbi jetën pak muaj më vonë në spitalin e neurokirurgjisë. Sherri në atë kohë lindi për një vajzë dhe solli për pasojë humbjen e jetës së babait të dy fëmijëve, 41-vjeçarit Mentor alias Gentjan Gjuzi.