Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, mbajti një fjalim të ashpër para mediave për hapjen e Kupës së Botës, në Doha.
“Ne jemi kritikuar shumë. Sot unë ndihem nga Katari. Sot ndihem arab. Sot ndihem afrikan. Sot ndihem homoseksual. Sot ndihem si një punëtor emigrant”, filloi ai fjalimin e tij.
“Mbaj mend prindërit e mi, të cilët punonin shumë si emigrantë, duke kërkuar punë në Zvicër. Kur mbërrita në Doha m’u kujtua fëmijëria dhe thashë: “Kjo nuk është e drejtë, duhet të bëjmë diçka”. Zvicra është një shembull i përfshirjes. Katari gjithashtu ka bërë përparim”, shtoi Infantino.
“Sigurisht që nuk jam nga Katari, nuk jam afrikan, nuk jam arab, nuk jam homoseksual, nuk jam punëtor emigrant… Por, e di se si është të ngacmohesh për faktin se je ndryshe në shkollë sepse kisha flokë të kuq.
Kjo është arsyeja pse nuk është e lehtë të lexosh kritika 12 vjet radhazi. Ekziston një standard i dyfishtë. Unë jam evropian. Kush i ndihmon punëtorët emigrantë? Kupa e Botës i ndihmon, FIFA i ndihmon. Rreth 25 000 punëtorë emigrantë kanë vdekur në Evropë, sipas statistikave, që nga viti 2014. Në Evropë ne mbyllim kufijtë tanë dhe nuk pranojmë punëtorë që vijnë të punojnë legalisht. Por, ka nga ata që vijnë të punojnë ilegalisht. Dhe pastaj ne kritikojmë Katarin. Ekziston një standard i dyfishtë. Për atë që ne evropianët i kemi bërë botës në 3000 vitet e fundit, duhet të kërkojmë falje për 3000 vitet e ardhshme. Le të mendojmë për këtë përpara se të fillojmë t’u japim mësime morale të tjerëve”, deklaroi më tej Presidenti i FIFA-s.
Infantino vijoi me tone të ashpra: “A duam të qëndrojmë në shtëpi dhe të kritikojmë se sa të këqij janë këta arabët dhe këta myslimanët që nuk lejojnë homoseksualët në publik? Këto janë procese që duan kohë. Nëse do ta kisha pyetur babain tim disa vite më parë, ai do të kishte menduar diçka ndryshe nga unë dhe diçka shumë ndryshe nga ajo që do të mendojnë fëmijët e mi. Janë procese. Në Zvicër, e drejta e votës, grave iu dha në vitet ‘90. Burrat votuan që mos t’u jepej. Ky ishte mentaliteti i disa viteve më parë në Evropë. Duhet të shihni se nga vijmë vetë”.
Presidenti i FIFA-s foli edhe për çështjen e tifozëve të paguar:
“Flitet shumë për tifozë fals. A nuk mundet një tifoz me pamje indiane të mbështesë Argjentinën apo Gjermaninë? Ky është racizëm”.