Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo do të takohet me homologun e tij britanik, pas vendimit të Londrës për të lejuar gjigantin e telekomunikacionit kinez Huawei të marrë një rol të kufizuar në rrjetet e saj 5G.
Pompeo do të zhvillojë bisedime me sekretarin e Jashtëm Dominic Raab, i cili mbrojti refuzimin e qeverisë së tij nga presioni i SHBA për të ndaluar Huawei nga 5G-ja.
Raab këmbënguli se Britania e Madhe do të zhvillojë një nga “regjimet më të vështira në botë për sigurinë e telekomunikacionit” duke thënë se “përballet me një zgjedhje të tre lojtarëve kryesorë për të siguruar pjesët kryesore të rrjeteve tona telekomunikuese”.
Ndër të tjera Raab theksoi ”se takimi me Pompeon ishte një mundësi për të diskutuar sfidat e përbashkëta në marrëdhëniet tona të ardhshme të biznesit dhe përfitimet që do të sjellë për të dy ekonomitë tona”.
Të dy palët pritet të diskutojnë gjithashtu për Sirinë, Iranin dhe planin e paqes në Lindjen e Mesme të shpallur nga presidenti Trump.
Departamenti i Shtetit tha se Pompeo “do të riafirmojë marrëdhëniet speciale pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE dhe të diskutojë mënyra për të zgjeruar dhe thelluar lidhjet tregtare me Raab dhe kryeministrin Boris Johnson”.