Zyra e Presidentes ende nuk e ka pranuar njoftimin zyrtar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal për dorëheqjen e kryetarëve të komunave veriore.
Ky njoftim zyrtar do t’i hapte rrugë presidentes së vendit, Vjosa Osmani, që të konsultonte partitë politike për shpalljen e zgjedhjeve në katër komunat, Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, njofton Klankosova.tv.
Se një njoftim i tillë nuk ka arritur ende në Presidencë për Klankosova.tv e thotë edhe Bekim Kupina, këshilltar për media i Osmanit.
“Legjislacioni në fuqi dhe praktika e përcaktojnë qartë procedurën për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në rastet kur kryetarët e komunave dorëhiqen nga posti i tyre”.
“Presidentja e Republikës së Kosovës ndërmerr veprimet e nevojshme, duke përfshirë konsultimet me subjektet politike, si dhe shpalljen e zgjedhjeve, pas njoftimit zyrtar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për dorëheqjen e kryetarëve të komunave. Deri më tani, një njoftim i tillë ende nuk është pranuar nga Zyra e Presidentes” tha Kupina.
Mirëpo, se MAPL-ja i ka pranuar dorëheqjes e thanë të hënën për Klankosova.tv nga kjo ministri.
“Sot gjatë ditës, në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal kemi pranuar letërdorëheqjet e kryetarëve të Komunave, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Ne jemi në komunikim me të gjitha insitucionet relevante për hapat e mëtejshëm sipas ligjeve në fuqi”, këshilltari për media në MAPL, Arianit Abazi.
Kujtojmë se të shtunën kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, njoftoi se do të tërhiqen nga institucionet e Kosovës pas vendimit për largimin e komandantit të policisë në veri, Nenad Gjuriq. Pas këtij veprimi 578 pjesëtarë të komunitetit serb u larguan nga policia. Me këtë rast dorëheqje kanë dhënë edhe katër kryetarët e komunave të veriut./