Presidenti i SHBA, Joe Biden, ka përshëndetur çeljen e negociatave për Shqipërinë.
Në një deklaratë Shtëpia e Bardhë thotë se në një moment kur Rusia ka shkatërruar paqen në Evropë, është më e rëndësishme se kurrë të mbështesim aspiratën për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe.
Më tej thuhet se hapat që BE, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë ndërmarrë ditët e fundit duhet të frymëzojnë të gjithë aspirantët e BE-së, ndërsa shton se SHBA do të jetë mbështetje për këto vende.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin hapat e rëndësishëm që Bashkimi Evropian po ndërmerr për të çuar përpara integrimin e Ballkanit Perëndimor në komunitetin euroatlantik duke hapur bisedimet e pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një moment kur Rusia ka shkatërruar paqen në Evropë, është më e rëndësishme se kurrë të mbështesim aspiratën për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe. Një Ballkan Perëndimor demokratik, i sigurt dhe i begatë mbetet thelbësor për këtë vizion. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë një partner i fortë dhe i besueshëm ndërsa ato vende punojnë për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të forcuar reformat demokratike dhe për të mbështetur sundimin e ligjit. Hapat që BE, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë ndërmarrë ditët e fundit duhet të frymëzojnë të gjithë aspirantët e BE-së në rajon që të rrisin angazhimin e tyre për forcimin e demokracive të tyre “