Skuadra e Prishtinës është kampione e Kosovës në futboll për edicionin 2020/2021.
“Bardhekaltrit” kanë shënuar fitore në javën e 35-të si mysafir të Gjilanit me rezultat 2:1 dhe e kanë siguruar titullin një javë para fundit të kampionatit. Kryeqytetasit do të shpalleshin kampion edhe me një barazim.
Trofeu më i çmueshëm i futbollit kosovar do të kthehet në kryeqytet pas tetë vjetësh. Kampione e Kosovës në vitin e kaluar ishte Drita.
Për Prishtinën, është titulli i 11-të që nga pavarësimi i futbollit kosovar dhe i pari pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.
Herën e fundit kur Prishtina e fitoi titullin ishte në edicionin 2012/2013.
Golat e fitores për Prishtinën e trajnerit Zekirija Ramadani kundër Gjilanit i shënuan Gledi Mici nga penalltia në minutën e 15-të dhe Qëndrim Zyba pesë minuta para fundit të pjesës së parë.
Kurse për Gjilanin golin e vetëm e shënoi Arbër Çyrbja (53’) pas gabimit të portierit Ardit Nika.
Një javë para fundit të kampionatit, Prishtina zë vendin e parë me 78 pikë. Gjilani renditet i katërti me 48 pikë.