Ashtu siç ishte paralajmëruar, serbët në Mitrovicën e Veriut kanë mbajtur një protestë e thërritur nga Lista Serbe, e cila një ditë më parë vendosi që të braktisë institucionet e Kosovës.
Protesta kishin si qëllim tërheqjen e vendimit të qeverisë së Kosovës për targat, por edhe zbatimin e marrëveshjes për themelimin e asociacionit të komunave serbe, sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel.
Organizatorët e Listës Serbe u shprehen se mesazhi i këtij manifestimi ishte për t’i treguar Europës se Serbia është vendi i tyre.
Në fjalimin e tij, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç u ka bërë thirrje protestuesve që të mos bien në provokime dhe të vazhdojnë luftën me mjete paqësore dhe demokratike.
Ai përsëriti se mbron marrëveshjen e Brukselit dhe të drejtën ndërkombëtare publike.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.