Protesta në Shtetet e Bashkuara ka arritur deri te pragu i Donald Trump-it pasi protestuesit janë përplasur me Shërbimin Sekret dhe policinë para Shtëpisë së Bardhë për ditën e dytë me radhë.
Duke brohoritur “Nuk po mund të marr frymë”, “Jeta e personave me ngjyrë ka peshë” dhe “Fu** Donald Trump”, qindra protestues e kanë rrethuar të shtunën Shtëpinë e Bardhë, e cila i ngjau një fortese më shumë se kurrë më parë në kujtesën e vonshme.
Veturat e blinduara të Shërbimit Sekret, bashkë me policinë e kryeqytetit dhe policinë e parqeve u radhitën para protestuesve, duke e formuar një barrikadë në kohën kur presidenti Trump u kthye nga një udhëtim në Florida, shkruan “The Guardian”.
Sheshi “Lafayette”, i cili ndodhet përballë Shtëpisë së Bardhë, u rrethua me barriera të hekurta.
Protestat para Shtëpisë së Bardhë filluan të premten, kur një grup prej qindra njerëzve u mblodh para vendbanimit të presidentit. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se protestuesit mund të përballen me qen të dhunshëm dhe armë, të cilat mbaheshin nga Shërbimi Sekret.
Të shtunën, disa protestues qëndruan afër Shtëpisë së Bardhë, ndërsa të tjerët marshuan rrugëve duke brohoritur “Pa drejtësi e pa paqe” dhe “Thuaja emrin: George Floyd”. Turma ishte e zemëruar dhe disa folës kërkuan që marshuesit të qëndrojnë të qetë.