Tre deputetë të shumicës parlamentare depozituan të martën një draft për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi rregulloren aktuale për shkak të miratimit të saj në shkelje të procedurës.
Propozimi është firmosur nga deputetët Taulant Balla, Erion Malaj dhe Erjo Mile. Në të rikonfirmohet arkitektura e kuvendit me 11 komisione të përhershme, që u miratua në fillim të punës së kësaj legjislature dhe që u kundërshtua nga opozita dhe u rrëzua në Gjykatën Kushtetuese në 23 shkurt për shkelje të procedurave parlamentare.
Ndërkohë, në propozim janë edhe ndryshime të reja, që kërkojnë kufizim të mëtejshëm të kohës që deputetët dhe grupet parlamentare marrin. Ndryshimet përfshijnë edhe shtesa sa i përket kompetencave të Komisionit të Përhershëm për Nismat Qytetare që drejtohet deri tani nga socialisti Fatmir Xhafaj.
Po ashtu, draft-rregullorja e PS i hap rrugë miratimit të ligjeve që kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me procedurë të përshpejtuar.
“Kuvendi i Republikës së Shqipërisë përfshin menjëherë në programin dhe kalendarin e tij të punimeve dhe shqyrton me procedurë të përshpejtuar, projektligjet që synojnë përafrimin e legjislacionit, marrëveshjet që lidhen me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe/ose detyrimeve që dalin nga procesi i negociatave të anëtarësimit, me përjashtim të ligjeve të parashikuara në nenin 81, pika 2, të Kushtetutës”, thuhet në draftin e propozuar.
Marrë nga Reporter.al


