U deshën te lutura, por më në fund, Xi Jinping ka vendosur të kalojë në tapetin e kuq që i shtron, Vladimir Putin.
Nga20 deri në 22 mars, Presidenti kinez do të zhvillojë një vizitë shtetërore në Moskë, e 40-ta në historinë e marrëdhënies së tij të veçantë me liderin e Kremlinit.
Gjatë vitit të luftës në Ukrainë ai gjeti kohë për të takuar personalisht mikun e zemrës, siç u janë referuar njëri-tjetrit, vetëm një herë gjatë një samiti ndërkombëtar në mesin e muajit shtator.
Dhe në atë rast, Putin u detyrua të deklaronte publikisht se homologu kinez kishte shprehur shqetësim mbi çështjen ukrainase.
Siç u bë e ditur, dy udhëheqësit do të diskutojnë për partneritetin gjithëpërfshirës dhe bashkëpunimin strategjik ndërsa pritet të nënshkruhen një sërë dokumentesh bilaterale.
Gjatë vizitës shtetërore në Rusi, Presidenti Vladimir Putin dhe Shi Xhinpin do të shkëmbejnë pikëpamje mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe çështje të mëdha ndërkombëtare e rajonal, të interesit të përbashkët.
Pekini theksoi se do të mbante një pozicion objektiv dhe të drejtë lidhur me luftën në Ukrainë dhe do të luante rol konstruktiv në promovimin e bisedimeve të paqes.
Pekini ka ofruar propozime për t’i dhënë fund luftës, të cilat janë pritur vakët nga perëndimi. Por presidenti ukrainas Zelenski ka thënë se dëshiron të takohet me Jinpin për të diskutuar propozimin kinez.
Media amerikane raporton se Xi do të flasë virtualisht me Zelenskin pas vizitës në Rusi, por kjo nuk është konfirmuar ende.