Qeveria e Kosovës ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzave ndaj presidentit Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi.
Në një deklaratë, Qeveria e Kosovës thotë se beson thellë në luftën e UÇK-së.
“Qeveria e Republikës së Kosovës po i përcjell me vëmendje zhvillimet e fundit rreth Dhomave të Specializuara, të cilat janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës beson thellë në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit, që mbetet një nga periudhat më të ndritshme të historisë”, thuhet në deklaratë.
“Askush nuk mund të gjykojë luftën tonë për liri”, theksohet në deklaratën e Qeverisë.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi për çlirimin e vendit tonë, për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, e jo në tokë të huaj, dhe si e tillë gëzoi mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, që kulmoi me fushatën e bombardimeve të NATO-s”.
Qeveria konsideron se askush nuk mund të konsiderohet fajtor në këtë fazë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, konsideron se askush nuk mund të konsiderohet fajtor pa vendim përfundimtar të organeve kompetente të drejtësisë”.
Në fund të deklaratës, Qeveria ka thënë se bartësit e institucioneve dhe qytetarët e Kosovës gjithnjë kanë qenë shembull për bashkëpunim me drejtësinë.
“Bartësit e institucioneve si dhe qytetarët e Kosovës kanë qenë gjithmonë dhe vazhdojnë të jenë shembull për respektim dhe bashkëpunim me drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.