Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar vendimin për kufizimin e marzhës së fitimit për 102 grupe produktesh që përfshijnë mbi 1.000 artikuj ushqimorë dhe joushqimorë, me synimin për të ulur çmimet dhe për të “mbrojtur qytetarët” nga rritjet e çmimeve.
Sipas vendimit, për tetë produkte bazë, përfshirë bukën, miellin, vajin, vezët, marzha nuk duhet të kalojë mbi 5%. Për 55 produkte të tjera, si mishi, produktet dhe produktet e konservuara, kufiri është 10%, ndërsa për 39 produkte të tjera si fruta, perime dhe artikuj higjienikë, marzha lejohet deri në 15%.
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, deklaroi se tregtarët do të jenë të detyruar të mbajnë në raftet e tyre të paktën 70 për qind të këtyre produkteve.
“Pritjet tona janë që me këto dy vendime çmimet e produkteve bazë ushqimore të ulen mesatarisht për rreth 10 për qind, me përjashtim të tetë produkteve bazë ushqimore – qumësht, bukë, miell tipi 400 dhe 500, vezë, vaj për gatim, kos dhe dhallë, për të cilat pritet të mbeten në të njëjtin nivel, pra të mos rriten ose të kenë një ulje minimale”, tha Risteski në konferencën për shtyp, më 18 shkurt.
Vendimi, i cili pritet të hyjë në fuqi të mërkurën dhe të zbatohet deri më 30 prill, vjen pas dy bojkotimeve të blerjeve nga qytetarët në shenjë pakënaqësie për çmimet e larta të ushqimeve.